Mungesa e mekanizmave për hetimin dhe gjykimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të posaçëm është ngritur si shqetësim edhe në Kuvend. Në maj të vitit të kaluar, deputetët shprehnin shqetësim te ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.
“Sot sipas ligjit në fuqi prokurorët e SPAK, hetuesit e BKH, apo të GJKKO, struktura në drejtim të ndjekjes penale të mos ketë asnjë ndërhyrje nga jashtë, por vetë struktura të garantojë pastërtinë e figurës së prokurorëve, të BKH apo GJKKO, në aspektin penal, kur ka indicie që bie në konflikt një prokuror tjetër heton kolegun. Kjo është zgjidhja që kemi gjetur për momentin. E konsideruar si element të intimidimit të kësaj strukture, sa i lejon hetimit penal të një hetimi nga jashtë, kjo ka qenë zgjidhja për ta mbajtur këtë strukturë të posaçme të dedikuar për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ta mbajmë larg nga intimidimi dhe influencat e jashtme”, iu përgjigj këtyre shqetësimeve, ministri Ulsi Manja.
Sipas ligjit në fuqi, Dritan Prençi juridikisht mund të hetonte kolegun e tij të SPAK, Ened Nakuçi në lidhje me dëshminë e Mariglen Shushës, që ngre dyshime se në rastin e dosjes ‘Shpirti’, Nakuçi mund të ketë marrë 200 mijë euro për transferimin e dosjes nga prokuroria për krimet e rënda, ku po e hetonte pikërisht Nakuçi, te prokuroria e Vlorës.
Provat për grup të strukturuar kriminal dhe sasia prej 808 kilogramësh hashash që u kapën në Radhimë ja pamundësuan Nakuçit që të kalonte dosjen nga krimet e rënda te prokuroria e Vlorës. Por, ai vendosi të pezullojë hetimet në 2015-n me arsyetimin se nuk kishte prova për identifikimin e autorëve të këtij trafiku.
Ky detaj nuk është hetuar nga Dritan Prençi, jo për konflik interesi, por ndoshta për konflikt ‘shoqëror’. Prençi dhe Nakuçi njihen prej kohësh së bashku. Ata kanë qenë kolegë për 3 vite në prokurorinë e krimeve të rënda, nga viti 2016 deri në shkrirjen e kësaj prokurorie dhe tashmë janë kolegë edhe në SPAK, ku me sa duket njëra dorë lan tjetrën.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.