Gazetari i Top News, Xhoi Malësia, ka denoncuar një incident me efektivët e policisë gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Malësia duke publikuar videon nga incidenti, thotë se pasi u ankua për veprimet e disa punonjësve të policisë, një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) i ka drejtuar granata-hedhësin e bombulave lotsjellëse.
Sipas gazetarit, incidenti ndodhi në një zonë kundodheshin vetëm gazetarë. Malësia thotë se reagoi pasi pa efektivë që godisnin me gurë, sjellje të cilën e cilësoi si joprofesionale.
Ai pretendon se, pas ankesës së tij, një efektiv i FNSH-së e ka drejtuar në drejtim të tij pajisjen që përdoret për hedhjen e bombulave me gaz lotsjellës.
Malësia thotë se ditën e nesërme do të bëjë denoncim pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Për ngjarjen ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë. AGSH dënon çdo veprim intimidues ndaj gazetarëve dhe kërkon verifikimin e menjëhershëm të këtij denoncimi, identifikimin e efektivit të përfshirë dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.