Një grua e zonja në çdo gjë që bën, e fortë, me miq e shokë shumë në jetën e saj, e mbi të gjitha e bukur dhe në formë gjithmonë! Fiori Dardha ishte e ftuara e radhës në “Muzikë kur dëgjoj” në E Diell pasditen e djeshme.
Ajo u surprizua nga disa prej miqve dhe njerëzve të saj të dashur si Erion Sheri, Santana Çomora, Ana Kekezi, Doklea Hadergjonaj, motra Albana, mbesa e saj Era dhe djali Abel.
Në fjalët për miken e saj të ngushtë Ana, ajo tha: “Unë jam njeri që e shpreh shumë dashurinë, ndërsa Ana është pak më e ftohtë. Ajo është shoqe shpirti, shoqe zemre, me pak fjalë është shoqe halli, që të gjendet në ditë të mira dhe të vështira”, u shpreh Fiori për shoqen e saj.
Për secilin prej tyre gazetarja ka shprehur fjalë zemre, duke shkaktuar lot gëzimi në studio, e po ashtu ka treguar dhe pikënisjet e shoqërisë në këtë rast me kryeredaktoren e revistës Living. Fiori u shpreh se shoqëria e fortë mes tyre ka nisur nga një zënkë në kushte pune, që e forcoi akoma më shumë marrëdhënien.
“Me Santën unë njihem prej një jete. Ne jemi njohur në televizion dhe duke qenë se kam qenë një natyrë kapriçoze, e kam shoqe që ka lindur nga një sherr. Ishte një debat i ashpër pune, për çështje kamere, “jo më duhet këtë moment, jo nuk më pret personazhi etj, etj.” Santa ishte shefe në atë kohë. Më thotë një shoqe: “I fole shumë ashpër Santës” dhe unë me atë kryeneçësinë time i thash “po më duhej kamera”, “se është edhe shtatzënë”, tha. Dhe nuk e di besoj kur Endi, djali i Santës ka bërë 5 vjeç, kam stopuar duke i kërkuar falje”, tregoi Fiori mes të qeshurash.
Po ashtu edhe të vegjlit, mbesa dhe djali i saj i kishin bërë surprizë momente nga vitet e fëmijërisë. Era mbante veshur uniformën e shkollës kur Fiori ishte në klasat fillore, ndërsa Abeli djali i saj i kishte sjellë dëftesat e shkollë 9-vjeçare.