Performanca e Ronela Hajatit, përfaqësueses së Shqipërisë në Eurovizion në gjysmëfinalen e parë u shoqërua me reagime dhe qëndrime të shumta, nga shqiptarë dhe jo vetëm.
Të shumtë kanë qenë ata që janë shprehur ashpër, duke e cilësuar performancën e saj si vulgare, cka solli edhe eliminimin e saj nga juria ndërkombëtare e festivalit.
Ndërsa profesori Aristotle Spiro e ka kapur këtë fenomen në një këndvështrim tjetër. Në një shënim në Facebook, Spiro thekson se rasti i përfaqësimit të sivjetëm në Eurovizion është një tregues ku ka arritur korrupsioni i institucioneve.
“SHQIPËRIA EUROVIZIONISTE QË ÇUDITI EVROPËN.
Rasti i përfaqësimit të sivjetëm në Eurovizion është një tregues (ose indicie, sipas zhargonit publicistik), ku ka rënë arti shqiptar, por sidomos ku ka arritur korrupsioni i institucioneve: funksionimi i administratës, sajimi i jurive, dhënia e çmimeve, dekoratave, diplomave për analfabetë, doktoratave për plagjiatorë, popullimi i vendit me Mjeshtra të Mëdhenj, profesorë e akademikë që nuk njohin drejtshkrimin etj. etj.).
Goca e Eurovizionit është një pasqyrë e pafajshme e shoqërisë së sotme”, shkruan Aristotle Spiro.