iPhone dhe Samsung me një karikues në BE

9 February 2022, 21:59Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

iPhone dhe Samsung me një karikues në BE

Parlamenti Europian pritet që të miratojë brenda këtij viti propozimin për një karikues universal për të gjithë telefonat, që do të njësonte si telefonat e Apple, ashtu edhe ata Android në këtë drejtim.

Komiteti i Brendshëm dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në PE kanë këmbëngulur për një zgjidhje të përbashkët të karikuesit për vite me radhë, duke i kërkuar vazhdimisht Komisionit të veprojë përmes një sërë raportesh me iniciativë, rezoluta dhe pyetje drejtuar Komisionerëve.

Në vitin 2014, Parlamenti mbështeti fuqimisht një karikues të përbashkët për të gjithë telefonat celularë gjatë negociatave të Direktivës për Pajisjet Radio (RED).

Që atëherë, disa nisma të tjera të Parlamentit kanë kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejt, ose të tërthortë që karikuesit e telefonave celularë të standardizohen, siç është një rezolutë e miratuar më 30 janar 2020 që i bën thirrje Komisionit të prezantojë një standard për një karikues të përbashkët "si çështje urgjente".

Për më tepër, në një rezolutë të shkurtit 2021 mbi planin e ri të veprimit të ekonomisë, eurodeputetët i bënë thirrje Komisionit të prezantojë urgjentisht një karikues të përbashkët për telefonat inteligjentë dhe pajisje të ngjashme për të siguruar më së miri opsionet e karikimit të standardizuara, të pajtueshme dhe të ndërveprueshme dhe i kërkuan Komisionit të përgatiste një strategji shkëputjeje për karikuesit dhe etiketimin e harmonizuar.

“Gjatë dekadës së fundit, Parlamenti Evropian ka nxitur që Komisioni të paraqesë një propozim për një karikues të përbashkët me synimin për të trajtuar mbetjet elektronike, për të bërë më të lehtë jetën për konsumatorët dhe për të reduktuar ndotjen”, tha Kryetarja e Komisionit të Tregut të Brendshëm dhe Mbrojtjes së Konsumatorit e Parlamentit, Anna Cavazzini.

 

 

 


Video