Bukuri ‘e ngrirë’! Veza e Dimrit shitet me çmim rekord

3 Dhjetor 2025, 19:38Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Veza e Dimrit

Një dhuratë e Pashkëve me gurë të çmuar për nënën e Carit të fundit rus është shitur në Londër për një çmim rekord prej 26 milionë eurosh. Veza e Dimrit, e porositur nga Cari Nikolla II në vitin 1913 si dhuratë për nënën e tij, Perandoreshën Maria Feodorovna, është përshkruar si një nga krijimet më luksoze perandorake të Faberge-s.

E bërë nga kristali dhe e gdhendur me një motiv ngrice nga brenda, pjesa e jashtme është e zbukuruar me flokë dëbore platini të shoqëruara me diamante.

Ajo u shit të martën për 26 milionë euro, tha Christie’s në Londër, duke thyer rekordin e mëparshëm botëror të ankandeve për një vepër të Faberge me më shumë se 13 milionë paund.

Rekordi i vjetër u vendos në vitin 2007 kur Veza Rothschild u shit për 8.9 milionë paund. Christie’s tha se ishte hera e tretë që Veza e Dimrit kishte vendosur një çmim rekord për një vepër të Faberge-s.

“Rezultati i sotëm vendos një rekord të ri botëror në ankand për një vepër të Faberge-s, duke konfirmuar rëndësinë e qëndrueshme të kësaj kryevepre dhe duke festuar shkëlqimin e asaj që konsiderohet gjerësisht si një nga krijimet më të mira të Faberge-s, si teknikisht ashtu edhe artistikisht. Duke pasur parasysh që vetëm disa vezë të Pashkëve Perandorake mbeten në duar private, kjo ishte një mundësi e jashtëzakonshme dhe historike për koleksionistët për të blerë një vepër me rëndësi të pakrahasueshme”, tha Margo Oganesian, drejtuese e Faberge dhe Artit Rus në Christie’s.

Pas revolucionit rus të vitit 1917, ajo u transferua nga Shën Petersburgu në Armaturën e Kremlinit në Moskë, së bashku me shumë sende të tjera me vlerë të familjes perandorake.

Bukuri ‘e ngrirë’! Veza e Dimrit shitet me çmim rekord

Në vitet 1920, qeveria sovjetike filloi të shiste thesaret e artit nga Muzeu Hermitage dhe koleksione të tjera, shpesh për një pjesë të vogël të vlerës së tyre.

Veza e Dimrit u ble nga tregtari i antikiteteve Wartski i Londrës për 512 €, më pas iu shit një koleksionisti britanik në vitin 1934 për pak më shumë se 1,700 €, përpara se t’i shitej më vonë një tjetri.

Besohej se ishte e humbur për dy dekada, nga viti 1975 deri në vitin 1994, kur u shit në Christie’s për një shumë rekord botëror prej 7.7 milionë eurosh. Në vitin 2002, Christie’s e rishiti atë për një shumë rekord prej 8.2 milionë eurosh.

Bukuri ‘e ngrirë’! Veza e Dimrit shitet me çmim rekord

Çmimi tregon sesa të rralla janë Vezët Perandore të Shtëpisë së Fabergé dhe ka 23 vite që në ankand nuk shfaqet ndonjë prej tyre. Janë prodhuar vetëm 50 dhe Veza e Dimrit është një nga shtatë të mbeturat në duart e personave të panjohur. Të tjerat nuk gjenden ose ndodhen në muze.

Secila vezë kërkonte një vit kohë për t’u realizuar dhe carët zakonisht i porosisnin vetëm pak kohë pasi merrnin dërgesën e fundit.

E krijuar me kuarc të tejdukshëm, Veza e Dimrit i ngjan një cope akulli me ngricë.

Ajo përshkohet nga një motiv si flok dëbore prej platini dhe brenda mban surprizën e një shporte lulesh me anemone kuarci të bardhë, nefriti dhe garnetësh.



Video