"Kutia me euro në vilën luksoze", Bardhi kërkon llogari nga SPAK: Pse nuk kërkohet arrestimi i Ballukut!

1 November 2026, 12:55Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Kutia me euro në vilën luksoze", Bardhi kërkon llogari
Belinda Balluku/ Gazmend Bardhi

Publikimi i detajeve nga dosja e SPAK për një kuti të mbushur me euro, e fotografuar në një ambient që sipas prokurorisë duket se është vila e Belinda Ballukut në Dhërmi, ka sjellë reagimin e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.

Bardhi përmes një postimi në Facebook, kërkon shpjegime nga SPAK se përse akoma nuk ka kërkuar arrestimin e ish-zëvendëskryeministres dhe ngre pikëpyetje  për standardet që po ndjek drejtësia.

Në postimin e tij të kësaj të diele, Bardhi e cilëson të papranueshme situatën, veçanërisht faktin që Balluku vazhdon të ketë ndikim mbi vendimmarrjen publike.

 Postimi i plotë i Gazment Bardhit në Facebook: 

 E papranueshme!

Është e paimagjinueshme që miliona euro të përfituara nga korrupsioni, të fshehura në kuti dhe skema të ndryshme, të mos çojnë në përgjegjësi para drejtësisë, ndërsa Belinda Balluku që përballet me akuza të rënda vazhdon të ushtrojë ndikim mbi vendimmarrjen publike, që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

Është një situatë që ngre pikëpyetje serioze për barazinë para ligjit dhe standardet e drejtësisë shqiptare. Si mund të shpjegohet që një zyrtare e lartë publike, ndaj së cilës janë ngritur akuza për 15 episode penale, të lidhura me pesë vepra penale, përfshirë korrupsionin dhe pastrimin e parave, të gjykohet në gjendje të lirë, pavarësisht rrezikut që mund të paraqitet për intimidimin e dëshmitarëve apo cenimin e provave?

Belinda Balluku është ndër zyrtarët më të lartë publikë ndaj të cilëve SPAK ka ngritur akuza të kësaj natyre dhe rëndësie. Megjithatë, çështja që kërkon një shpjegim publik është fakti se, pas zgjerimit të akuzave dhe rëndimit të pozitës së saj penale, nuk është ndjekur e njëjta qasje lidhur me kërkesën për arrestim.

Kujtojmë se në një fazë të mëparshme të hetimit, kur ndaj saj rëndonin vetëm një pjesë e akuzave që janë sot në dosjen penale, SPAK iu drejtua Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe dhënien e autorizimit për arrestim. Edi Rama e kundërshtoi këtë kërkesë në Kuvend, duke argumentuar se në atë kohë nuk kishte ende një akuzë për korrupsion.

"Kutia me euro në vilën luksoze", Bardhi kërkon llogari

Sot, kur akuzat janë shtuar dhe përfshijnë edhe korrupsionin e pastrimin e parave, publiku ka të drejtë të pyesë: Pse standardi i ndjekur nga SPAK ka ndryshuar? Cilat janë arsyet konkrete që justifikojnë këtë ndryshim? Dhe mbi të gjitha, a po zbatohet i njëjti standard ligjor për të gjithë, pa dallim pushteti apo funksioni?

Drejtësia nuk mund të jetë selektive. Nuk mund të ketë një standard për kundërshtarët politik të Edi Ramës dhe një tjetër për zyrtarët e pushtetshëm bashkëpunëtor të ngushtë të tij. Nuk mund të kërkohet besim te drejtësia, nëse vendimet e saj nuk shoqërohen me transparencë dhe shpjegime bindëse.

Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Asnjë pushtet nuk duhet të jetë mburojë ndaj drejtësisë. Dhe asnjë qytetar nuk duhet të ketë arsye të besojë se në Shqipëri drejtësia funksionon ndryshe për ata që kanë pushtetin.


Video