Zyrtari i lartë amerikan: Luftanija ruse u fundos nga raketat ukrainase

15 April 2022, 21:34Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Zyrtari i lartë amerikan: Luftanija ruse u fundos nga raketat ukrainase

Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes tha se Uashingtoni beson se kryqëzori rus me raketa me vetëdrejtim, i cili u mbyt të enjten në veri të Detit të Zi, ishte goditur nga të paktën një raketë lëshuar nga një anije ukrainase, ashtu sikurse pretendon edhe Kievi.

Zyrtarët e Pentagonit kishin thënë më parë se nuk mund ta konfirmonin pretendimin e autoriteteve ukrainase, por ata gjithashtu nuk e hodhën poshtë atë. Zyrtari i lartë amerikan i mbrojtjes, i cili foli në kushte anonimiteti duke iu referuar informacioneve të zbulimit tha se luftanija "Moskva" u godit të mërkurën nga të paktën një ose ndoshta dy raketa "Neptun", gjë që shkaktoi edhe një zjarr të madh në bordin e saj.

Zyrtari amerikan nuk ofroi detaje të mëtejshme, por shtoi se Uashingtoni beson se disa marinarë ruse që ndodheshin në bordin e anijes, mund të jenë vrarë ose plagosur.

Të premten Kievi u godit nga disa prej shpërthimeve më të fuqishme që janë dëgjuar që kur forcat ruse u tërhoqën nga ky rajon dy javë më parë. Moska tha se kishte goditur një fabrikë që prodhonte dhe riparonte raketa, përfshirë edhe raketa kundër anijeve.

Më herët ministria ruse e Mbrojtjes kishte njoftuar se do të intensifikonte sulmet me raketa ndaj kryeqytetit ukrainas në përgjigje të atyre që i cilësoi diversione ushtarake të Ukrainës në territorin rus. Njoftimi vjen vetëm një ditë pasi Moska pësoi një disfatë simbolike therëse, me humbjen e anijes kryesore të flotës së saj në Detin e Zi.

 


Video