Vuçiç anulon EuroPride në Beograd, komuniteti LGBT e sfidon: Marshimi do të mbahet

27 August 2022, 15:26Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Vuçiç anulon EuroPride në Beograd, komuniteti LGBT e sfidon:

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se parada e shtatorit të EuroPride në Beograd nuk do të zhvillohet. Njoftimi i Vuçiç vjen pasi mijëra njerëz marshuan në protestë kundër ngjarjes në fillim të këtij muaji.

Presidenti tha se nuk ishte i kënaqur me vendimin, por se Serbia duhej të përqendrohej në çështje të tjera, duke përfshirë telashet në Kosovë.

Organizatorët e paradës kanë thënë se parada do të vazhdojë gjithsesi, me çdo ndalim "të paligjshëm". Parada ndërkombëtare e krenarisë LGBT është organizuar nëpër qytetet europian prej vitit 1992.

Gjatë një konference për shtyp, Vuçiç tha se ngjarja e sivjetshme - e planifikuar të zhvillohet midis 12 dhe 18 shtatorit - do të "shtyhet ose anulohet" për shkak të "tensioneve të fundit me ish-provincën e saj Kosovën", si dhe çështjeve rreth energjisë dhe ushqimit.

"Thjesht, në një moment, nuk mund të përballosh gjithçka. Në një kohë tjetër, në një moment më të qetë, ngjarja mund të ndodhë”, tha Presidenti serb.

Në përgjigje, organizatori i EuroPride 2022 Marko Mihailovic tha se "shteti nuk mund ta anulojë EuroPride" dhe çdo përpjekje për ta bërë këtë do të ishte një "shkelje e qartë e Kushtetutës". Kristine Garina, presidente e Shoqatës së Organizatorëve Europianë të Krenarisë - përgjegjëse për licencimin e EuroPride - këmbënguli se ngjarja nuk do të anulohej.

Ajo shtoi se kryeministrja Ana Brnabiç, kryeministrja e parë femër dhe homoseksuale e Serbisë premtoi mbështetje të plotë nga qeveria serbe gjatë procesit të tenderimit për EuroPride 2022 dhe ajo pret që "ky premtim të respektohet".

Në fillim të këtij muaji, mijëra njerëz marshuan në Beograd kundër EuroPride, duke mbajtur tabela që shkruanin "për të mbrojtur familjen" dhe "mbani duart larg fëmijëve tanë".

Partitë e ekstremit të djathtë e kanë dënuar ngjarjen dhe peshkopi i Banatit, Nikanor, nga Kisha Ortodokse Serbe, tha se ai do të "mallkojë të gjithë ata që organizojnë dhe marrin pjesë në diçka të tillë".

Organizatorët e ngjarjes thanë se roli i Serbisë si mikpritëse e EuroPride ishte "një hap i rëndësishëm në rrugën drejt arritjes së barazisë për komunitetin LGBTI+ në Ballkanin Perëndimor".

Në vitin 2010, protestuesit anti-LGBT u përplasën me policinë në një përpjekje për të penguar një marshim të Krenarisë së Gay-it në Beograd.


Video