Vrasja e gruas shtatzënë, Albin Kurti: I gjithë zinxhiri i papërgjegjshmërisë duhet dorëhequr

1 Dhjetor 2022, 21:17Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Viktima Hamide Magashi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar sërish për vrasjen e gruas shtatzënë para maternitetit në Prishtinë mbrëmjen e së mërkurës.

Kurti shkruan në një shënim në Facebook se të gjithë personat që nuk kanë zbatuar përgjegjësitë e tyre duhet të japin dorëheqjen.

Për këtë arsye, Kurti thotë se ka urdhëruar që të nisë një inspektim për zbatimin e punës së policisë për urdhrin e mbrojtjes që kishte viktima, si dhe të verifikohet puna e të gjitha institucioneve të përfshira.

“Sot pasdite kam aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur. Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar. I gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje”, shkruan Kurti.

Hamide Magazhi u vra mbrëmë në oborrin e maternitetit nga ish-burri i saj. Ajo ishte shtatzënë dhe sot ishte planifikuar që të kryente lindjen e foshnjes.

 

Video