Uashingtoni e dinte prej javësh se udhëheqësi i Shtetit Islamik kishte vdekur

1 Dhjetor 2022, 20:57Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Uashingtoni e dinte prej javësh se udhëheqësi i Shtetit Islamik kishte vdekur

Njoftimi i bërë nga grupi terrorist Shteti Islamik për vdekjen e udhëheqësit të dytë të tyre për nga hierarkia, në më pak se një vit, nuk ishte diçka që erdhi si befasi për Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni duket se ka qenë në dijeni për vdekjen e tij prej më shumë se një muaji.

ISIS-i, njoftoi vdekjen e Abu al-Hassan al-Hashimi al-Qurashi përmes një deklarate të shkurtër të mërkurën të ofruar me audio. Zëdhënësi Abu Umar al-Muhajir dëgjohet duke thënë: "Ai vdiq duke luftuar armiqtë e Zotit e duke vrarë disa prej tyre, përpara se të vritej si burrë në fushën e betejës”.

Komanda Qendrore amerikane lëshoi më vonë një deklaratë, duke konfirmuar se Abu al-Hassani ishte vrarë në mes të muajit tetor në provincën jugore Daraa të Sirisë, nga Ushtria e Lirë Siriane (ULS), një grup rebel që nuk bashkëpunon me Shtetet e Bashkuara.

Por pavarësisht mospërfshirjes së amerikanëve në këtë operacion, ata u përfshirë në procesin e verifikimit të identitetit të udhëheqësit të grupit islamik.

Bazuar në provat e marra në vendngjarje dhe testimin e ADN-së, SHBA-të përcaktuan se në fakt ULS-ja e kishte vrarë Abu al-Hassan-in, i tha Zërit të Amerikës një zyrtar amerikan i mbrojtjes, i cili foli në kushte anonimiteti duke iu referuar informacioneve të zbulimit.

Zyrtari amerikan nuk dha ndonjë arsye se pse SHBA-të nuk kishin pranuar të konfirmonin deri tani vdekjen e udhëheqësit të ISIS-it. Po kështu as zyrtarët e mbrojtjes dhe ata të zbulimit amerikan nuk kanë shpjeguar se si kishin arritur ta identifikonin atë përmes ADN-së, në kushtet kur emri i tij i vërtetë nuk është Abu al-Hassan, por një pseudonim.

Informacionet e zbulimit të mbledhura nga shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe të publikuara në korrik sugjeronin se Abu al-Hassan ishte me shumë gjasë një nga dy personat – Juma'a Awwad Ibrahim al-Badri, vëllai i ish-udhëheqësit të ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi, ose Abd al-Raouf al-Muhajir, i cili drejtonte divizionin e përgjithshëm të provincave të ISIS-it.

Raporte të tjera të mëparshme sugjeronin se Abu al-Hassan ishte një shtetas irakian, Bashar Khattab Ghazal al-Sumaida'i, por zyrtarët turq konfirmuan muajt e fundit se al-Sumaida'i ndodhej në paraburgim në Turqi që nga muaji maj, pas një bastisjeje të kryer nga autoritetet në Stamboll.

Të mërkurën Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Londër, një grup monitorues i luftës, që ishte ndër të parët që njoftoi për një seri bastisjesh të ULS-së, që çuan në vdekjen e udhëheqësit të ISIS-it, publikoi emrin e tij të vërtetë si Abd Al-Rahman Al-Iraqi.

Pavarësisht kësaj, zyrtarët amerikanë e përshëndetën njoftimin për vdekjen e udhëheqësit të ISIS-it.

"Ne jemi të kënaqur që shohim largimin e udhëheqësve të lartë të ISIS-it në mënyrë kaq të shpejtë", tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, duke iu referuar vdekjes së udhëheqësit të mëparshëm të grupit, në shkurtin e kaluar.

"Ne do të shënojmë arritje të tjera mbi këto suksese kundër terrorizmit e do ta vazhdojntë të ushtrojmë trysni mbi këtë çështje", shtoi ajo më tej.

Vdekja e Abu al-Hassan-it, është zhvillimi më i fundit në një seri goditjesh të forta ndaj udhëheqjes së grupit terrorist.

Përveç vrasjes së paraardhësit të Abu al-Hassanit në shkurt dhe arrestimit të al-Sumaida'it në maj, ISIS ka humbur të paktën pesë udhëheqës të tjerë të lartë në tetë muajt e fundit.

Hani Ahmed al-Kurdi, një udhëheqës kyç për operacionet e këtij grupi në Siri, u kap gjatë një sulmi me helikopter të SHBA-së në qershor.

Më pas, në tetor, Rakkan Wahid al-Shammri, një operativ dhe kontrabandist i ISIS-it u vra nga një goditje ajrore amerikane në fshatin Qamishli në verilindje të Sirisë.

Më pak se 24 orë më pas, Shtetet e Bashkuara ndërmorën një sulm ajror që vrau dy zyrtarë të tjerë të lartë të ISIS-t: Abu 'Ala, i përshkruar si një nga "pesëshja kryesore" e grupit terrorist dhe Abu Mu'Ad al-Qahtani, zyrtar i ISIS-it për çështjet e të burgosurve.

Edhe përpara operacioneve më të fundit që kishin vënë në shënjestër ISIS-in, zyrtarët amerikanë kishin thënë se grupi terrorist në thelb ishte vënë në pozitat e mbijetesës nga "një humbje e madhe mes udhëheqjes së lartë të ISIS-it".

"[Kjo] ka bërë që ata t’i përqendrojnë përpjekjet tek zgjerimi i degëve të grupit, gjë që e bërë përqendrimin tek Shtetet e Bashkuara më pak të mprehtë nga vitet e mëparshme", tha Drejtoresha e Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, Christine Abizaid në një konferencë shtatorin e kaluar.

Organizata terroriste ka pasur gjithashtu një rënie të konsiderueshme në radhët e saj. Vlerësimet e zbulimit të SHBA-së dhe vendeve anëtare të OKB-së tregojnë se ISIS-i ka kaluar nga një numër prej ndoshta mbi 20,000 luftëtarësh në muajt pas rënies së kalifatit të vetëshpallur në Siri, në ndoshta deri në 6,000 në të gjithë Sirinë dhe Irak.

ISIS-i udhëhiqet tani nga Abu al-Hussein al-Husseini al-Qurashi, i emëruar emir i ri i grupit në të njëjtën deklaratë që njoftoi vdekjen e Abu al-Hassan.

"Ai është një nga luftëtarët veteranë dhe një nga anëtarët besnikë të Shtetit Islamik", tha zëdhënësi i ISIS-it, al-Muhajir.

Sipas JihadoScope, një kompani që monitoron aktivitetin xhihadist në mediat sociale, disa ndjekës të ISIS-it kanë i janë betuar për besnikëri udhëheqësit të ri.

Në të kaluarën, ISIS-i e ka pasuar shpalljen e një udhëheqësi të ri me fushata në media sociale ku shfaqen ithtarë në mbarë botën të betohen për besnikërinë e tyre./ VOA

Video