Vdes Shyqyri Nimani, njeriu që shkroi në pergamenë deklaratën e Pavarësisë së Kosovës

22 June 2023, 17:00Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vdes Shyqyri Nimani, njeriu që shkroi në pergamenë
Shyqyri Nimani

Kosova humbi sot një prej simboleve të pavarësisë. Shyqyri Nimani, akademiku që shkroi në pergamenë Deklaratën e Pavarësisë, u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare.

Lajmin e bëri të ditur Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili kërkoi një minutë heshtje në nderim të veprës dhe jetës së tij. Konjufca e cilësoi Nimanin, si artist të madh dhe mjeshtër të artit në Kosovë, i cili siç tha la pas një karrierë të bujshme dhe gjurmë të thella artisitike.

Piktor, dizanjator e pedagog, Nimani u bë kryesisht i njohur pasi vulosi në letër lindjen e shtetit të ri të Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.

Dokumentin më të rëndësishëm në historinë e një kombi i kërkuan ta realizonte brenda pak orëve. Me shumë durim dhe orë të gjata pa gjumë, arriti ta përfundonte në kohë, duke u kujdesur jo vetëm që të dukej sa më bukur estetikisht, por duke korrigjuar gabimet ortografike të tekstit origjinal.

I lindur më 6 maj 1941 nga një familje gjakovare, lë pas dy djem, Agonin dhe Alban Nimani, artist i njohur nga Kosova, bashkëthemelues i grupit “Asgjë Sikur Dielli”.


Video