
Presidenti amerikan Donald Trump tha të enjten se i dërguari i tij i posaçëm amerikan Steve Witkoff po zhvillon bisedime serioze me Rusinë lidhur me përfundimin e luftës në Ukrainë.
"Shpresojmë se ata do të bëjnë gjënë e duhur", u tha Presidenti Trump gazetarëve gjatë një takimi në Zyrën Ovale me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte.
Presidenti Trump tha se nuk mendon se Rusia do të sulmojë aleatët e Shteteve të Bashkuara
"Kjo nuk do të ndodhë. Ne do të sigurohemi që kjo të mos ndodhë", tha ai.
Duke folur për gazetarët në sallë, Trump tha se do t’i pëlqente të takohej me presidentin rus Vladimir Putin në një përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Por ne duhet ta kalojmë shpejt”, tha ai.
Trump gjithashtu e karakterizoi bashkëpunimin transatlantik midis SHBA-ve dhe aleatëve të saj evropianë për çështjet e sigurisë si “të padrejtë”.
“Ne jemi në anën tjetër të oqeanit,” tha Trump për Evropën.
“Dhe ata janë pikërisht atje”.
Trump thotë se ai ka “njerëz që flasin në Rusi” – i dërguari i SHBA në Rusi Steve Witkoff është aktualisht në Moskë.
“Ukraina ka rënë dakord, në varësi të asaj që po ndodh sot, për një armëpushim të plotë dhe ne shpresojmë se Rusia do të bëjë të njëjtën gjë”, vijon Trump.
Ai tha se lufta në Ukrainë është një “kosto e madhe për Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera”.
Witkoff do të takohet me Putin të enjten në mbrëmje, njoftuan mediat amerikane, duke cituar gazetën shtetërore ruse të lajmeve ‘Izvestia’.
Takimi i së enjtes në Shtëpinë e Bardhë vjen ndërsa Presidenti Trump ka ripërsëritur thirrjet që vendet e aleancës të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre.
Nga tridhjetë e dy vende anëtare të NATO-s, njëzet e tre përmbushin objektivin prej 2 për qind si shpenzime për mbrojtjen, nga vetëm gjashtë vende që ishin në vitin 2021.
Sekretari i Përgjithshëm i NATOS-s foli gjithashtu mbi nevojën që vendet e aleancës të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre, por ai theksoi se paralelisht duhet rritur edhe ritmi i prodhimin në industrinë e mbrojtjes, pasi vendet e NATO-s, siç tha ai, janë pas Rusisë dhe Kinës në këtë aspekt.