
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka pranuar në parim planin për një armëpushim 30 ditor në Ukrainë të propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Presidenti Trump.
Por lideri rus ka kushtet e tij për këtë marrëveshje duke thënë se një akord për armëpushimin duhet të çojë në një paqe afatgjatë, e cila nis me eliminimet përfundimisht të shkaqeve fillestare që çuan në këtë krizë.
“Ne pajtohemi me propozimin për ndërprerjen e armiqësive, por ai duhet të çojë në paqe të qëndrueshme dhe të heqë shkaqet themelore të kësaj krize”, tha Putin.
Ai shtoi se plani ka nevojë për më shumë konsultime me Shtetet e Bashkuara, duke mos përjashtuar dhe mundësinë e një bisede telefonike me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump.
Në një konferencë për shtyp me presidentin bjellorus, Putin foli dhe për situatën në frontin e luftimeve duke shtuar se rajoni i Kurskut tashmë kontrollohet nga forcat ruse dhe iu bëri thirrje ukrainasve të izoluar që të dorëzohen, në të kundërt do të vdesin.
“Nëse i pushojmë armiqësitë për 30 ditë, a do të thotë kjo se të gjithë në Kursk do të largohen? A duhet t’i lirojmë pasi kanë kryer krime të shumta? Forcat e Armatosura Ruse po përparojnë pothuajse kudo, është e paqartë se si do të zgjidhet situata në vijën e kontaktit në rast të një armëpushimi”, tha Putin.
Putin njoftoi se “Federata Ruse do të negociojë hapat e ardhshëm për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të arritur marrëveshje të pranueshme bazuar në situatën në terren. Situata në terren po ndryshon me shpejtësi në favor të Federatës Ruse”.