
Një ish-bos i mafies franceze i cilësuar si “kumbari” ka vdekur pasi u qëllua me armë zjarri dhe më pas u përplas në një autostradë pranë qytetit të Grenoble.
Jean-Pierre Maldera, i cili ishte një mafioz i madh në vitet 1980, u vra pas një ndjekjeje me makinë në autostradën A41 të mërkurën në mëngjes.
Pamjet me video të publikuara në internet, tregojnë një BMW të bardhë në mes të rrugës me xhamin e shoferit të thyer.
Francois Touret de Coucy, zëvendësprokurori publik i Grenoble, tha në një deklaratë se Maldera "u qëllua me një kallashnikov", me të paktën një plumb që e goditi atë në bërryl.
“[Maldera] më pas ndaloi automjetin e tij në rrugë dhe doli. Automjeti sulmues ka bërë një kthesë, ka lëvizur në rrugë të gabuar përgjatë autostradës dhe e ka goditur me forcë. Trupi i pajetë është hedhur dhe është gjetur në korsinë e kundërt të autostradës.
Plaga me armë zjarri nuk ishte fatale dhe shkaku i vdekjes kishte më shumë gjasa të ishte për shkak të përplasjes me automjetin ose rënies në karrexhatë", shtoi prokurori
Pranë trupit të tij u gjet një pistoletë, tha prokurori.
Personat përgjegjës u larguan nga vendi i ngjarjes dhe automjeti i tyre, një "Megane RS" e vjedhur, u gjet i djegur në një park të izoluar makinash pranë një stadiumi të vogël një kilometër më tutje pak më vonë.
Maldera, së bashku me vëllain e tij Robertin, ishin nga të ashtuquajturit "kumbarë" të mafies franko-italiane që terrorizoi qytetin juglindor në vitet 1980, sipas një burimi të afërt me rastin.
Robert Maldera, i mbiquajtur “Il pazzo”, “i çmenduri” në italisht, u zhduk në vitin 2015, në moshën 55-vjeçare, pasi mori pjesë në një takim në periferi të Grenoble. Makina e tij u zbulua dy muaj më vonë në një park makinash aty pranë. Një prokuror në atë kohë tha se kishte arsye të mira për të besuar se ai ishte vrarë.
Të dy vëllezërit u burgosën në vitin 2004 pas një rasti që përfshinte akuza për zhvatje, pastrim parash dhe prokurim të punonjësve të seksit. Megjithatë, dyshja u liruan vitin e ardhshëm për shkak të një defekti teknik që e prishi çështjen.