
Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, duke arritur nivelet më të larta që nga viti 2023 dhe duke rritur frikën për një goditje të re energjetike globale.
Një fuçi nafte West Texas Intermediate (WTI), referencë për tregun amerikan, u mbyll në 90.90 dollarë, me një rritje prej më shumë se 12 për qind në një seancë dhe 35.63 për qind gjatë javës, niveli më i lartë që nga krijimi i kontratave futures për WTI në vitin 1983.
Ndërkohë, një fuçi Brent, standardi ndërkombëtar për naftën, u mbyll në 92.69 dollarë, me një rritje prej mbi 8 për qind gjatë ditës dhe 27.88 për qind gjatë javës, pas sulmeve izraelito-amerikane ndaj Iranit.
Në vetëm disa ditë, çmimet janë rritur me më shumë se 20 dollarë për fuçi, ndërsa që nga fillimi i vitit rritja ka kaluar 30 dollarë.
Nafta WTI po i afrohet tashmë pragut simbolik të 100 dollarëve për fuçi, nivel që nuk është tejkaluar që nga korriku i vitit 2022.
Rritja e çmimeve u përshpejtua edhe më shumë pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kërkoi “kapitullimin” e Iranit.
Megjithatë, sipas analistëve, ndikimi kryesor në treg vjen nga paralizimi i trafikut në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e prodhimit global të naftës.
“Çdo ditë që ngushtica mbetet e mbyllur, tregu i naftës bëhet më i tensionuar”, tha analisti i UBS, Giovanni Staunovo.
Kapacitetet e depozitimit në vendet e Gjirit janë të kufizuara dhe nëse situata vazhdon, prodhimi i naftës mund të reduktohet, ndërsa aktiviteti i rafinerive – veçanërisht në Azi dhe Lindjen e Mesme – mund të ngadalësohet ndjeshëm.
Disa vende tashmë kanë filluar të ulin prodhimin. Iraku ka reduktuar furnizimin me rreth 1.5 milionë fuçi në ditë, ndërsa Kuvajti po i afrohet kufijve të kapaciteteve të depozitimit.
Për të shmangur mungesat e mundshme, Kina ka kërkuar nga rafineritë kryesore të ndalojnë eksportet e naftës së rafinuar, si nafta dhe benzina.
Në të njëjtën kohë, qeveria amerikane ka lejuar për një muaj dërgimin e naftës ruse drejt Indisë, pavarësisht sanksioneve, për të stabilizuar furnizimet në treg.
Megjithatë, analistët paralajmërojnë se edhe nëse trafiku rifillon, ai nuk pritet të rikthehet menjëherë në nivelet e para luftës.
Sipas ekspertëve të tregut, rezervat aktuale globale të naftës mund të përballojnë deri në një muaj bllokim të Ngushticës së Hormuzit, por nëse kriza zgjat më shumë, tregjet energjetike globale mund të përballen me tronditje të mëdha.