Takimi Kurti-Abdixhiku përfundon pa marrëveshje: Do të takohemi sërish

4 Gusht 2026, 22:01Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kurti-Abdixhiku

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk kanë arritur marrëveshje politike gjatë takimit të tyre tre orësh.

Megjithatë, si Kurti, ashtu edhe Abdixhiku paralajmëruan se bisedimet do të vazhdojnë me qëllim që të arrihet një marrëveshje për krijimin e institucioneve të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut, që zgjati mbi tri orë, u zhvillua dy ditë para seancës konstituive të legjislaturës së njëmbëdhjetë.

"Marrëveshje politike nuk kemi. Diskutuam për qasje të ndryshme, për mundësitë që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike, e cila respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron edhe në kontribut për stabilitet institucional dhe funksionim të Republikës", tha Kurti.

Ai shtoi se koha për arritjen e një marrëveshjeje është shkurtuar dhe pa të, vendi rrezikon sërish të shkojë në zgjedhje.

Si Kurti, ashtu edhe Abdixhiku, deklaruan se në takim nuk është diskutuar për emra konkretë për presidentin, por Kurti insistoi në një president konsensual.

Sipas tij, presidenti i ri i vendit nuk duhet të paraqesë polin e katërt të pushtetit, të mos jetë "i përfshirë në polemikat ditore".

"Jemi të interesuar dhe të gatshëm të bashkëpunojmë me LDK-në, sa i përket presidentit qëndrimi ynë është që nuk do të duhej të jetë pjesë e pushtetit politik, por e përfaqësimit të Republikës. Unë nuk mund të sjellë emër konkret, sepse ai do të duhej të ishte konsensual, gjithëpërfshirës, të mos ishte i LVV-së", tha Kurti.

Por, për Abdixhikun, president konsensual është kushdo që i ka 80 vota në kuti.

"President konsensual është secili president që i merr 80 vota. LDK duhet të ndihet e përfaqësuar për t’i pasur votat e veta", tha Abdixhiku.

Abdixhiku tha se janë pajtuar që nëse nuk arrihet marrëveshje deri në seancën konstituive, më 6 korrik, mund të vazhdojnë bisedimet, pasi ai u shpreh se partia e tij nuk është e interesuar për kryetarin e Kuvendit.

“Nëse nuk ndodh asgjë, kemi kërkuar që të vazhdohet me konstituimin e Kuvendit. LDK s’ka apetit për kryetarin e Kuvendit”, tha ai.

Ndërkaq, duke hyrë në Kuvend, Kurti deklaroi se ai ka mbështetje të mjaftueshme për Kuvendin dhe Qeverinë, por “për zgjedhjen e presidentit nuk ka përgjegjësi vetëm mazhoranca, por edhe opozita”.

Takimi vjen dy ditë para mbajtjes së seancës konstituive për legjislaturën e njëmbëdhjetë.


Video