SHBA ka konsumuar pothuajse të gjitha raketat me rreze të gjatë në luftën me Iranin

4 Gusht 2026, 19:15Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Shtetet e Bashkuara kanë përdorur pothuajse të gjithë stokun e raketave të tyre me precizion të lartë dhe rreze të gjatë gjatë luftës pesëmujore me Iranin, raportoi Reuters, duke cituar tre burime të njohura me të dhënat.

Sipas dy prej burimeve, ushtria amerikane ka konsumuar “praktikisht të gjitha” raketat tokë-tokë të tipit Army Tactical Missile Systems (ATACMS) dhe Precision Strike Missiles (PrSM).

Bëhet fjalë për armë me vlerë mbi 1 milion dollarë secila, të cilat përdoren për goditje të sakta nga distanca të mëdha.

Burimet nuk kanë bërë të ditur se sa raketa kanë mbetur në rezervat amerikane, por kanë shprehur shqetësimin se ulja e stokut mund të ndikojë në aftësinë e SHBA-ve për t’iu përgjigjur konflikteve të mundshme me vende si Rusia apo Kina.

Një burim tjetër tha se Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) pothuajse ka shteruar rezervat e raketave tokësore që kishte në Lindjen e Mesme para fillimit të luftës, megjithëse ato janë rimbushur pjesërisht nga stoqe të tjera amerikane.

Sipas njërit prej burimeve, administrata e presidentit Donald Trump zgjodhi të përdorte më shumë raketa me rreze të gjatë për të shmangur operacionet me avionë luftarakë mbi objektivat iraniane.

I pyetur nga Reuters, presidenti Trump deklaroi se SHBA ka “shumë më tepër municione se çdo vend tjetër në botë” dhe se industria amerikane e mbrojtjes po prodhon armë me ritme rekord.

Megjithatë, analistët paralajmërojnë se, edhe pse prodhimi është rritur ndjeshëm, ai mund të mos mjaftojë në rast të një konflikti të zgjatur.

Reuters raporton gjithashtu, duke cituar një prej burimeve, se SHBA ka përdorur edhe pak më pak se gjysmën e rezervave globale të raketave lundruese Tomahawk që nga fillimi i luftës me Iranin.

Për këtë shifër, agjencia thekson se nuk ka mundur të kryejë një verifikim të pavarur.

Ndërkohë, zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi se ushtria amerikane mbetet “forca më e fuqishme në botë” dhe disponon të gjitha kapacitetet e nevojshme për të mbrojtur interesat e Shteteve të Bashkuara.


Video