
Fondacionet e lidhura me ish-presidentin e Rusisë, Dmitry Medvedev, kanë grumbulluar rreth 850 milionë dollarë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia më shumë se tri vjet më parë, ka zbuluar njësia hulumtuese ruse e Radios Evropa e Lirë, Systema.
Rritja e pasurisë së fondacioneve përkon me rilindjen e figurës së Medvedevit gjatë kohës së luftës, të cilin presidenti Vladimir Putin e kishte shkarkuar nga posti i kryeministrit në vitin 2020.
Megjithatë, ai ka gjetur një audiencë prej miliona ndjekësish në rolin e ri si “sulmues online”, ndërkohë që mban ende rol në Qeveri si zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Putinit dhe kryetar i partisë mbizotëruese, Rusia e Bashkuar.
Medvedev, dikur figurë e butë dhe e moderuar, është shndërruar në përkrahës të zjarrtë të luftës, dhe mban qëndrime të ashpra dhe plot urrejtje ndaj Kievit dhe Perëndimit në rrjetet sociale.
Në përgjithësi, 15 fondacione të lidhura me Medvedevin morën rreth 28 miliardë rubla, apo 424 milionë dollarë, mes viteve 2015 dhe 2021, viti i fundit para fillimit të pushtimit të plotë rus në shkurt 2022, sipas dokumenteve financiare të vlerësuara nga Systema.
Nga viti 2022 deri në vitin 2024, kjo shumë u rrit në më shumë se 130 miliardë rubla, apo 1.39 miliardë dollarë. Më shumë se gjysmën e këtyre parave u morën vetëm gjatë vitit të kaluar.
Fondacionet kishin gjithsej 23.5 miliardë rubla, apo 316 milionë dollarë, në llogaritë e tyre në fund të vitit 2021 dhe 86.4 miliardë rubla, apo 850 milionë dollarë, në fund të vitit 2024, tregojnë të dhënat.
Fondet janë shpërndarë për qëllime të ndryshme, përfshirë për forcat ruse që luftojnë në Ukrainë dhe projekte të pasurive të paluajtshme – të cilat duket se kanë lidhje me Medvedevin – nga Shën Petersburgu deri në bregun e Detit të Zi, zbuloi Systema.
Fondacionet nuk i identifikojnë publikisht donatorët e tyre dhe vetëm dy nga 14 që ekzistojnë ende aktualisht kanë faqe interneti. Njëra prej tyre, Nasha Pravda (E Vërteta Jonë), thotë se ka shpenzuar 2.4 miliardë rubla gjatë dy vjetëve të fundit për të mbështetur “operacionin special ushtarak”, termi i detyruar nga Putini për luftën kundër Ukrainës, me shpenzime për mijëra dronë, syze nate, gjeneratorë, pajisje mjekësore dhe furnizime të tjera.
Nasha Pravda u krijua me iniciativën e Medvedevit, sipas kreut të komitetit ekzekutiv qendror të Rusisë së Bashkuar, Aleksei Sidyakin. Fondacioni ka bashkëpunuar me partinë – në shkurt 2025, për shembull, dhuruan bashkërisht pajisje me vlerë më shumë se 14 milionë rubla (177.000 dollarë) për një njësi ushtarake ruse, sipas faqes së fondacionit.
Djali 29-vjeçar i Medvedevit, Ilya, i cili iu bashkua partisë në shtator 2022, mori pjesë në ceremoni dhe u prezantua si drejtor projekti në të njëjtin komitet partiak.
Shumë nga fondacionet nuk japin hollësi për mënyrën se si i shpenzojnë fondet.
Por, dëshmitë tregojnë se disa janë përdorur për të mbështetur drejtpërdrejt ose tërthorazi projekte të pasurive të paluajtshme që kanë lidhje me Medvedevin – një temë me interes të madh publik që nga raporti i Fondacionit Anti-Korrupsion (FBK) të ndaluar tashmë, i udhëhequr nga Aleksi Navalny, që zbuloi një rrjet pronash luksoze, jahtesh, vreshtash dhe pasurish të tjera që i atribuoheshin kryeministrit të atëhershëm.