
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha të martën se lufta e pafitueshme në Ukrainë nuk po zhvillohet me shpejtësi dhe se ka ardhur koha që palët të negociojnë për një armëpushim.
"Nga kontaktet me faktorët të ndryshëm, janë duke u shfaqur elementë të progresit diplomatik për disa çështje kyçe", u tha gazetarëve Guterres në selinë qendrore të OKB-së. "Ka mjaftueshëm hapësira për të ndalur luftimet - tani. Dhe vërtet të negociojnë - tani".
Ai nuk dha detaje se në cilat aspekte mund të ketë marrëveshje të mundshme mes palëve për çështjet thelbësore, as se kush mund të jetë shfaqur si më i mundshmi ndër ndërmjetësit e ofruar. Por, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy realisht e ka lënë pa përmendur gjatë ditëve të fundit kërkesën që Ukraina të ketë të drejtën për të hyrë në NATO, ndërsa Turqia dhe Izraeli janë ndër vendet e mundshme ndërmjetëse.
Guterres, i cili ka folur haptazi në mënyrë të pazakontë për luftën dhe e ka quajtur Rusinë agresore, tha se populli ukrainas po "përjeton një ferr të vërtetë" që kur Moska filloi "sulmin e saj masiv" gati një muaj më parë.
"Bombardime sistematike që terrorizojnë civilët. Goditjet e spitaleve, shkollave, banesave dhe strehimeve", tha ai, kanë detyruar rreth 10 milionë njerëz të lënë shtëpitë e tyre dhe madje edhe atdheun e tyre.
"Të vazhdohet lufta në Ukrainë është moralisht e papranueshme, politikisht e pambrojtshme dhe ushtarakisht e pakuptimtë", deklaroi të martën shefi i OKB-së.
Ai përmendi rrethimin që forcat ruse i kanë bërë qytetit port Mariupol, i cili ka përjetuar javë goditjesh me artileri dhe bombardime, dhe shtoi se edhe nëse ky qytet bie, vendi nuk mund "të pushtohet qytet pas qyteti, rrugë pas rruge, shtëpi pas shtëpie".
"Kjo luftë nuk mund të fitohet", paralajmëroi zoti Guterres. "Herët apo vonë, do të duhet të lëvizet nga fushëbeteja tek tryeza e paqes. Kjo është e pashmangshme".
Deri atëherë, pyeti ai, sa jetë të tjera duhet të humben dhe sa qytete duhet të shkatërrohen?
"Ka ardhur koha për t'i dhënë fund kësaj lufte absurde", tha zoti Guterres.
Zyra e të Drejtave të Njeriut e OKB-së ka verifikuar 935 vdekje civilësh deri në orët e vona të së hënës, që nga momenti kur filloi lufta më 24 shkurt, si dhe 1557 civilë të plagosur. OKB-ja thotë se numri real ka gjasa të jetë shumë më i lartë.