Makineria propagandistike e Putin shënjestron Arnold Schwarzenegger

22 March 2022, 19:30Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Makineria propagandistike e Putin shënjestron Arnold Schwarzenegger

Makineria propagandistike ruse është aktivizuar në një sulm të koordinuar ndaj aktorit Arnold Schwarzenegger, i cili publikoi një video javën e kaluar duke i thënë popullit rus se nuk duhet t'i besojnë asaj që po dëgjojnë në lidhje me luftën në Ukrainë.

Sipas The Daily Beast, një pjesë e vogël e ekspertëve të televizionit rus kanë shprehur pakënaqësi për pretendimet e yllit të "Terminator" se, ndërkohë që ai ka gjithmonë nderim të madh për popullin rus, përfshirë idhullin e tij të fëmijërisë në peshëngritje, Yury Vlasov, ata po mashtrohen nga kukullat e medias në varësi të Presidentit rus Vladimir Putin.

“Ai, nga Kalifornia, do të na tregojë neve që jetojmë këtu... ‘të vërtetën?’”, tha prezantuesi i TV, Vadim Gigin.

Peshëngritësja ruse, Maryana Naumova në një shkrim iu kthye aktorit duke e krahasuar luftën në Ukrainë me skenarin e filmit “Terminator”.

"A ju kujtohet se si në pjesën e dytë të "Terminatorit" heroi juaj kthehet në kohë për të parandaluar krijimin e Skynet, i cili do të sillte vdekjen e gjithë njerëzimit? Operacioni special ushtarak i Rusisë nuk synon të shkatërrojë popullin ukrainas. Ai synon Skynetin neo-nazist, i cili me kalimin e viteve ka nënshtruar plotësisht Ukrainën dhe ishte gati të shndërrohej në një përbindësh të pakontrollueshëm, të rrezikshëm për të gjithë fqinjët e saj, jo vetëm për ne”, shkroi ajo.

Putin u ka thënë zgjedhësve të tij se forcat ruse po çlirojnë Ukrainën nga kontrolli nazist, pavarësisht faktit se Presidenti i zgjedhur në mënyrë demokratike i Ukrainës është me origjinë hebraike.


Video