SHBA paralajmëron Rusinë: Do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s

22 September 2025, 23:26Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
SHBA paralajmëron Rusinë: Do të mbrojmë çdo
Michael Waltz

I dërguari i ri i Uashingtonit në Kombet e Bashkuara, Michael Waltz, u zotua se SHBA “do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”.

Këtë deklaratë ai e bëri më 22 shtator në mbledhjen emergjente lidhur me inkursionin e avionëve luftarakë rusë në hapësirën ajrore të Estonisë.

NATO ngriti në ajër avionët saj pasi tre avionë luftarakë rusë të llojit MiG-31 të premten hynë në hapësirën ajrore të Estonisë dhe qëndruan për 12 minuta, duke shënuar një tjetër provokim të rrezikshëm. Moska ka mohuar se avionët e saj kanë shkelur hapësirën ajrore estoneze.

Estonia, anëtare e NATO-s, e thirri mbledhjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së “në përgjigje të shkeljes së qartë të hapësirës ajrore estoneze nga Rusia” dhe po ashtu kërkoi bisedime me aleatët e tjerë të NATO-s.

“Siç thamë edhe para nëntë ditësh, SHBA-ja qëndron me aleatët tanë në NATO në dritë të këtyre shkeljeve të hapësirës ajrore. Ne duam që ta shfrytëzojmë këtë moment që të përsërisim, të theksojmë se SHBA-ja dhe aleatët do të mbrojnë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, tha ambasadori amerikan në OKB, Michael Waltz.

Ambasadori amerikan në OKB tha se SHBA-të e kishin paralajmëruar Rusinë të “ndalonte veprimet që mund të rrezikonin të përshkallëzohej në një konflikt më të gjerë”, pasi dronët e saj shkelën hapësirën ajrore polake nëntë ditë më parë.

Pavarësisht këtij paralajmërimi, tha ai, Rusia "shkeli përsëri hapësirën ajrore të një anëtari të NATO-s".

Dhe në fragmentin ndoshta më domethënës të fjalimit të tij, ai thotë: "Dua të shfrytëzoj këtë mundësi të parë për të përsëritur dhe theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s".

"Rusia duhet të ndalojë urgjentisht një sjellje të tillë të rrezikshme", tha.

“Edhe një herë i bëj thirrje Rusisë, si anëtare e përhershme e këtij këshilli, të mbështesë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, të respektojë sovranitetin e fqinjëve të saj, të ndalojë shkeljen e hapësirës së tyre ajrore. Dhe i bëj thirrje Rusisë të negociojë drejtpërdrejt me Ukrainën për t'i dhënë fund asaj lufte”, përfundoi Waltz.


Video