
SHBA i dhuroi Kosovës mbi 500 mijë doza të vaksinës Pfizer, të cilat Kryeministri Albin Kurti tha se do ta ndihmojnë vendin që të lehtësojë masat kufizuese.
“Në një kohë kur rastet e infektimit janë duke rënë, disa mund të pyesin pse vaksinat vazhdojnë të jenë të domodosshme. Së pari imuniteti i fituar mes popullatës tonë ka filluar gradualisht që të bjerë. Pesë deri në gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë imuniteti bie në 10%. Një rënie e tillë e imunitetit mund të krijojë kushtet për një valë të re të infektimeve, prandaj është e domosdoshme që qytetarët të vaksinohen me dozën e tretë. Lirimi i mëtejshëm i masave varet drejtpërsërdrejti nga niveli i vaksinimit në vend. Jam i vetëdijshëm për vështirësitë që janë shkaktuar nga masat sidomos në aspektin ekonomik. Vaksinat vazhdojnë të jenë jetike”, tha Kurti.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ceremonisë së marrjes të këtyre dozave është shprehur falënderuese ndaj SHBA-së për ndihmën e madhe ndaj Kosovës në luftën kundër COVID-19.
“Në muajin mars të vitit 2021, kur pandemia përbënte kërcënim serioz për të gjithë globin, i jam drejtuar me një letër presidentit amerikan Joe Biden me kërkesë për të na ndihmuar në sigurimin e vaksinave për qytetarët tanë në vendin tonë, në kohën kur kishim zero vaksina. Sikurse në vitin 1999, SHBA-ja sërish u dëshmua krah nesh, atëherë na shpëtuan nga vdekja prej luftës e sot na shpëtuan nga virusi COVID-19 përmes vaksinimit”, ka thënë Osmani.