Sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli thotë se mbi 300 qytetarë të Kosovës janë bllokuar në Serbi, në Batrovci pikën e kalimit kufitar me Kroacinë.
Fatmir Haxholli shkruan se ky veprim vjen si shenjë hakmarrje pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës votoi pro anëtarësimit të Kosovës.
“Në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë, në pikëkalimin 'Batrovci', Serbi - Kroaci, nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxholli në Facebook.
Sipas Haxhollit kjo po bëhet me urdhër të Beogradit.
“Bllokimi i mbi rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin 'ky është një urdhër nga Beogradi'”, ka shtuar Haxholli.