Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio paralajmëroi se goditjet më të forta ndaj Iranit ende nuk kanë ardhur. I pyetur se sa gjatë do të vazhdojë angazhimi i ushtrisë amerikane kundër Iranit, Rubio u përgjigj se operacioni do të zgjasë aq sa të jetë e nevojshme.
“Goditjet më të rënda nga ushtria amerikane janë ende përpara. Faza e ardhshme do të jetë edhe më e ashpër për Iranin sesa ajo që po ndodh tani”, deklaroi ai para gazetarëve në Kongresin e SHBA.
“Sa do të zgjasë? Nuk e di sa kohë do të duhet,” shtoi Rubio. “Ne kemi objektiva të qarta dhe do të vazhdojmë për aq kohë sa të jetë e nevojshme për t’i arritur ato.”
Sekretari amerikan deklaroi se rrëzimi i regjimit në Teheran nuk është qëllimi i operacionit ushtarak.
“Do të donim që Irani të mos drejtohej nga klerikë radikalë shiitë”, tha ai përpara një seance informuese me dyer të mbyllura në Kapitolin e SHBA-së. “Por ky nuk është objektivi.”
Sulmet e para të përbashkëta SHBA–Izrael në Iran vranë Udhëheqësin Suprem Ali Ajatollah Khamenei, si dhe disa drejtues të lartë të vendit.
“Objektivat e këtij operacioni janë të shkatërrojmë aftësinë e tyre për raketa balistike dhe të sigurohemi që nuk mund ta rindërtojnë atë, si dhe të mos mund ta përdorin si mbulesë për një program bërthamor,” u shpreh ai. “Ky është misioni.”
Rubio, së bashku me Hegseth dhe zyrtarë të tjerë, po informojnë drejtuesit e Kongresit dhe anëtarët kryesorë të komisioneve të sigurisë kombëtare mbi operacionin ndaj Iranit.