Rebelët sirianë hyjnë në Alepo, ushtria e Bashar al-Assad "nuk bën rezistencë"

29 Nëntor 2024, 15:15Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rebelët sirianë

Rebelët e armatosur sirianë pretendojnë se kanë hyrë në Alepo, hera e parë që rebelët kanë hyrë në qytetin e dytë më të madh të vendit që kur forcat qeveritare rimorën qytetin në vitin 2016.

Forcat rebele filluan një sulm të befasishëm këtë javë, duke pushtuar një numër fshatrash dhe duke rindezur konfliktin që kishte qenë kryesisht statik për vite me rradhë.

"Forcat tona kanë filluar të hyjnë në qytetin e Alepos," tha një deklaratë nga koalicioni i sapoformuar rebel, Komanda e Operacioneve Ushtarake.

Ushtria siriane tha se po përballej me një "sulm të madh" të nisur nga "organizatat terroriste" të armatosura me armatim të rëndë dhe drone.

"Komanda e Operacioneve Ushtarake" rebele, tha më herët se ata morën kontrollin e Qendrës Kërkimore Shkencore Ushtarake të qeverisë siriane në periferi të qytetit Aleppo pas "përplasjeve intensive me forcat e regjimit dhe milicitë iraniane".

Më herët atë ditë, një predhë artilerie goditi banesat e studentëve të Universitetit Alepo, duke vrarë katër persona, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Sirisë, SANA, e cila fajësoi fraksionet e opozitës për sulmin. Zëdhënësi i grupeve rebele Hassan Abdulghani hodhi poshtë akuzat e mediave të qeverisë siriane si "gënjeshtra të pabaza".

Një punonjës i Universitetit Alepo, duke folur në mënyrë anonime për arsye sigurie, konfirmoi se një predhë artilerie goditi katin e dytë të një konvikti me studentë brenda në atë kohë. Një video që qarkullon në mediat sociale, tregon të rinjtë që vrapojnë nga një konvikt në kampusin e Universitetit Aleppo dhe mbajnë një individ të plagosur, raporton CNN.

Të enjten, të paktën 15 civilë, përfshirë gjashtë fëmijë dhe dy gra, u vranë dhe 36 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore dhe bombardimet në zonat e kontrolluara nga rebelët në Aleppo dhe fshatin Idlib, sipas White Helmets, një grup vullnetar shpëtimi. Media shtetërore iraniane tha se një gjeneral brigade i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) Kioumars Pourhashemi u vra gjithashtu në qytet.

Në një telefonatë me homologun e tij sirian për të diskutuar përshkallëzimin, ministri i jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për "riaktivizimin" e rebelëve dhe "theksoi mbështetjen e vazhdueshme" të Iranit për qeverinë dhe ushtrinë siriane.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u bëri thirrje autoriteteve siriane që "të rivendosin shpejt rendin në këtë zonë dhe të rivendosin rendin kushtetues". Si Irani ashtu edhe Rusia janë aleatët kryesorë të Sirisë.

Video