
Sanksionet amerikane ndaj Rusisë dhe individëve e zyrtarëve që Uashingtoni ka vlerësuar si njerëz të afërt të Putinit dhe aktorë e faktorë të rëndësishëm në vendimmarrjen për ankesimin e Krimesë nuk e kanë gjunjëzuar Moskën dhe as e kanë zbutur agresivitetin e saj përballë fqinjëve të vet, në rastin më të fundit ndaj Ukrainës.
Po pse? Së pari, një analizë e Financial Times sjell faktin që sanksionet kanë ngadalësuar fuqizimin ekonomik të Rusisë, por ato kanë dështuar ta çojnë atë në stanjacion, apo rënie. E gjitha kjo lidhet me faktin që volumi tregtar i Rusisë më SHBA mbetet u ulët.
Në 2021, Rusia e SHBA shkëmbyen vetëm 34 miliardë dollarë. Derën e mbyllur me SHBA, Putin po përpiqet ta hapë në Lindje përmes fuqizimit të lidhjeve ekonomike me Kinën. Rusia ka rritur volumin e gazit dhe naftës drejt Kinës, ndërsa kjo e fundit volumin e pajisjeve teknologjike drejt Rusisë.
Volumi tregtar kërceu nga 114 miliardë dollarë në 2020 në mbi 160 në 2021. Pra, nga tregtia me Kinën, Rusia po zëvendëson humbjet dhe të ardhurat ekonomike të munguara me SHBA. Por, sërish Moska po tregohet në dukej e matur në Ukrainë dhe këtu më shumë se sa SHBA, Rusia u trembet sanksioneve të BE-së.
Volumi tregtar me BE kapërceu 220 mld dollarët në 2021. BE importon 60 deri në 70 për qind të gazit nga Rusia dhe Rusia siguron 40 për qind të të ardhurave në buxhet nga Bashkimi Europian. Sanksionet europiane do të ishin një goditje e dyanshme. BE me mundësi do të vuante një krizë energjitike dhe rritje çmimesh, ndërsa Rusia miliarda dollarë të munguara në buxhet.
E këtu, nëse Kina për Rusinë mund të mbushë boshllëkun e lënë nga SHBA, ajo e ka thuajse të pamundur që të bëjë të njëjtën gjë me BE. Së pari pengesë është infrastruktura. Rusisë do t’i duhet të investojë miliarda dollarë për të rritur volumin e gazit e naftës për të cilën ka nevojë tregu kinez, ndërsa kjo infrastrukturë ka 30 vite që ngrihet e fuqizohet me BE, ku i fundit është tubacioni “Rrjedha e Veriut 2”, megjithëse i pavënë ende në punë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.