
Rusia pretendon se ka përdorur armë lazer në fushën e betejës në Ukrainë, megjithëse SHBA thotë se nuk ka parë asnjë provë për këtë ndërsa Ukraina e ka ironizuar këtë pretendim si propagandë. Cilat janë armët lazer dhe sa efektive mund të jenë ato në konflikt?
Yury Borisov, zëvendëskryeministri përgjegjës për zhvillimin ushtarak, i tha një televizioni rus se një prototip lazer i quajtur Zadira ishte duke u vendosur në Ukrainë dhe kishte djegur një dron ukrainas brenda pesë sekondave në një distancë prej 5 km.
Sipas tij, arma e re ishte përditësim i një sistemi të mëparshëm lazer të quajtur Peresvet - i quajtur sipas një murgu luftëtar ortodoks mesjetar - i cili mund të përdoret për të verbuar satelitët që orbitojnë lart mbi Tokë dhe për t'i parandaluar ata të mbledhin informacion.
"Nëse Peresvet të verbon, atëherë gjenerata e re e armëve lazer çon në shkatërrimin fizik të objektivit - shkatërrim termik, ato digjen", tha Borisov.
Megjithatë, një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA tha se ai nuk kishte parë "asgjë që të vërtetonte raportet e përdorimit të lazerëve" në Ukrainë.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u tall me pretendimin rus, duke e krahasuar atë me të ashtuquajturat "armë të mrekullueshme" që Gjermania naziste pretendonte se po zhvillonte gjatë Luftës së Dytë Botërore.
"Sa më e qartë që bëhej se ata nuk kishin asnjë shans në luftë, aq më shumë propagandë kishte për një armë të mahnitshme që do të ishte aq e fuqishme sa të siguronte një pikë kthese", tha Zelenski.
"Dhe kështu ne shohim se në muajin e tretë të një lufte në shkallë të gjerë, Rusia po përpiqet të gjejë 'armën e saj të mrekullueshme'... e gjithë kjo tregon qartë dështimin e plotë të misionit".