
Aplikacioni i mesazheve WhatsApp ka denoncuar përpjekjen e autoriteteve ruse për të bllokuar funksionimin e tij, me qëllim që të detyrojnë përdoruesit të kalojnë në një shërbim të kontrolluar nga shteti.
“Qeveria ruse u përpoq të bllokonte plotësisht WhatsApp-in për të shtyrë njerëzit drejt një aplikacioni mbikëqyrjeje në pronësi të shtetit”, njoftoi kompania.
“Përpjekja për t’u mohuar më shumë se 100 milionë përdoruesve një mjet komunikimi privat dhe të sigurt përbën një hap pas, i cili vetëm sa kufizon sigurinë e njerëzve në Rusi”, shtoi ajo.
“Ne vazhdojmë të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’i mbajtur përdoruesit të lidhur”, theksoi më tej kompania.
Autoriteti rregullator rus vendosi këtë javë kufizime ndaj aplikacionit Telegram, një tjetër hap në goditjen ndaj rrjeteve sociale me seli jashtë vendit.
Autoritetet ruse e akuzuan Telegram-in për “shkelje” të legjislacionit rus, kryesisht për faktin se nuk po bën mjaftueshëm për të parandaluar përdorimin e platformës për “qëllime terroriste”.
Telegram, i themeluar nga rusi Pavel Durov, i cili ka marrë edhe shtetësinë franceze, është një nga dy aplikacionet më të përdorura të mesazheve në Rusi, së bashku me WhatsApp-in, përdorimi i të cilit është kufizuar ndjeshëm në vend që nga janari për të njëjtat arsye.
“Kufizimi i lirisë së qytetarëve nuk është kurrë zgjidhja e duhur”, deklaroi të martën Durov, duke akuzuar Moskën se synon “t’i detyrojë qytetarët të kalojnë drejt një aplikacioni të kontrolluar nga shteti, i projektuar për mbikëqyrje dhe censurë politike”.
Autoritetet ruse po inkurajojnë qytetarët të përdorin Max, një platformë e re mesazhesh e promovuar nga Moska, por që aktualisht nuk gëzon popullaritet të madh.
Max, në pronësi të gjigantit rus të rrjeteve sociale VK dhe në funksion që nga viti 2025, paraqitet si një “super-aplikacion” me funksione të gjera, duke ofruar, ndër të tjera, akses në shërbime të ndryshme qeveritare, si dhe në dyqane online.
Gjatë verës, Rusia kishte ndaluar gjithashtu përdoruesit të kryenin thirrje zanore përmes Telegram-it dhe WhatsApp-it.