Paralajmërimet e Biden në Asamblenë e OKB, nga Inteligjenca Artificiale, te ndryshimet klimatike, Rusia dhe Kina

19 Shtator 2023, 17:18Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Presidenti i SHBA, Joe Biden në OKB

Presidenti amerikan Joe Biden ka mbajtur sot fjalën e tij në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, duke paralajmëruar liderat botërorë për një sërë kërcënimesh që kanosin njerëzimin, nga luftërat te inteligjenca artificiale dhe ndryshimet klimatike.

Biden tha se Inteligjenca Artificiale është një vegël që duhet të përdoret për mirë, dhe të mos shndërrohet “në një armë për nënshtrim”.

Duke listuar një sërë fatkeqësish natyror e si zjarret masive dhe përmbytjet në shtete të ndryshme, Biden tha se ndryshimet klimatike janë një “kërcënim ekzistencial”.

“Që nga dita e parë e administratës sime, Shtetet e Bashkuara e kanë trajtuar këtë krizë si kërcënim ekzistencial që është, jo vetëm për ne, por për të gjithë njerëzimin”, deklaroi Biden.

Presidenti i SHBA, Biden e zhvendosi fjalën e tij te pushtimi i Ukrainës, duke i bërë thirrje liderëve në OKB të qëndrojnë kundër agresionit rus.

Ai tha se SHBA dhe aletatët do e mbështesin Ukrainën, dhe brutalizimi i Ukrainës nga Rusia “nuk do të kalojë pa pasoja”.

“Rusia beson se bota do të lodhet dhe do ta lejojë atë të brutalizojë Ukrainën pa pasoja. Por unë ju pyes këtë: nëse braktisim parimet thelbësore të Kartës së OKB-së për të qetësuar një agresor, a mundet ndonjë shtet anëtar të ndihet i sigurt se është i mbrojtur? Nëse lejojmë që Ukraina të skalitet, a është e sigurt pavarësia e ndonjë kombi?”, deklaroi Biden.

Si për inteligjencën artificiale, ndryshimet klimatike dhe Ukrainën, Biden tha se SHBA po kërkon të “menaxhojë me përgjegjësi” marrëdhëniet e saj me Kinën.

"Kur bëhet fjalë për Kinën, dua të jem i qartë dhe i qëndrueshëm. Ne kërkojmë të menaxhojmë me përgjegjësi konkurrencën midis vendeve tona, në mënyrë që të mos kthehet në konflikt”, tha Biden.

Video