Në vigjilje të Krishtlindjes, presidenti Volodymyr Zelensky ka dërguar një mesazh urimi drejtuar popullit të tij për këtë festë të rëndësishme, tashmë që vendi i tij la pas plot 10 muaj luftë.
Mes rreshtash, lideri ukrainas shprehet i trishtuar se nuk pret asnjë mrekulli gjatë këtyre Krishtlindjeve dhe shton se këtë gjë do ta bëjnë vetë ukrainasit me trimërinë dhe krenarinë e treguar.
“Do t’i festojmë këto festa si gjithmonë. Do të buzëqeshim si gjithnjë, por me një ndryshim. Nuk presim asnjë mrekulli. Do ta krijojmë ne vetë atë”, shprehet Zelensky.
Për presidentin Zelensky, kjo festë do të lerë një shije të hidhur për shkak të mijëra jetëve të humbura për shkak të luftës.
Më herët, në një postim të shtunën në Telegram presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shkruante se Rusia po vret me synimin për të nxitur frikë, si dhe thjesht për kënaqësi. Komentet pasojnë një sulm të trupave ruse në qytetin e çliruar së fundmi, Kherson, ku si pasojë u vranë të paktën 10 persona dhe u plagosën 55 të tjerë.
Presidenti ukrainas e shoqëronte postimin e tij me foto nga vendngjarja, ku shfaqeshin makina të djegura dhe ato që dukeshin të ishin trupa njerëzish të vdekur.
"Rrjetet sociale me shumë gjasa do t'i shënojnë këto foto si me përmbajtje të ndjeshme", shkruante zoti Zelensky. "Por ato nuk janë ashtu, kjo është jeta reale e Ukrainës dhe ukrainasve", shkruante ai.