
Mbretëresha e bukurisë së Hungarisë, Viktoria Jazmin thotë se ka kaluar çastet më tmerruese të jetës së saj gjatë vizitës në qytetin e Ohrit në Maqedoninë e Veriut.
Sipas denoncimit, një bandë kriminale ballkanike joshi fituesen e Miss Universe Hungaria 2021 për në Maqedoninë e Veriut me premtimin që t’i bënin një sesion fotografik.
Kur 22-vjeçarja ka shkuar në Ohër, ajo thotë se ra pre e kërcënimeve dhe ngacmimit seksual.
Interpoli është aktualisht duke hetuar një person, i cili pretendoi se ishte biznesmen.
“Dy ditët e para gjithçka shkoi mirë. Pastaj, në hotel, ai u afrua dhe tentoi të të më prekte. Unë refuzova. Në atë moment më tha se “unë të vras dhe të hedh në liqen, që të mos gjendesh më për 20 vitet e ardhshme”, rrefeu e reja për gazetën Blikk.
“U ndjeva e tmerruar, kisha frikë. Mbaj mend që kisha pirë dy gota verë. Më pas nuk më kujtohet asgjë. Dyshoj se diçka më kishte hedhur në pije”, tregon ajo.
Ajo ka vënë fillimisht në dijeni familjen, ndërsa për ditët në vazhdim u largua duke lënë çdo gjë në dhomë, dhe ka qëndruar në një strehë nën koordinimin e autoriteteve, derisa në Ohër mbërriti babai i saj nga Hungaria.
Modelja 22-vjeçare thotë se vendosi të tregojë historinë e saj për të ndërgjegjësuar vajzat e tjera që të mos bien pre e situatave të ngjashme.
Një prej shoqeve që e shoqëronin e raportoi ngjarjen në Interpol Francë, që tashmë ka nisur hetimet.
“Mora kërcënime kur u kuptua se kisha lajmëruar policinë”, thotë Valeria Pavelin, sipas të cilës, personi i dyshuar “është shqiptar”.
“Sesionet e fotografive organizohen pranë Shqipërisë, ndoshta sepse vajzat joshen nga bukuria e liqenit, ose ndoshta sepse nëse ka ndonjë problem, ai mund të shpëtojë më lehtë vetë”, beson modelja franceze.
Dyshohet se ky grup ka disa vite që ushtron këtë aktivitet, dhe se rastet e drogimit dhe përdhunimit të vajzave që ftohen për sesione fotografish janë disa. I akuzuari u prezantohej vajzave me emrin Tom Tomski.
Sipas denoncimit, pre e grupit ra edhe një vajzë tjetër hungareze vitin e kaluar, por duke qenë se u kërcënua ajo dhe familja e saj, pasi disa persona i hynë brenda në banesë, ajo ka refuzuar të identifikohet, – shkruan gazeta Bliik.