Mbahen sot zgjedhjet presidenciale në Malin e Zi

19 March 2023, 08:18Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mbahen sot zgjedhjet presidenciale në Malin e Zi
Foto ilustruese

Në Mal të Zi mbahen sot zgjedhjet presidenciale ku konkurrojnë shtatë kandidatë.

Këto janë zgjedhjet e para presidenciale që nga përmbysja e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit aktual Milo Gjukanoviç që ishte në pushtet më shumë se tre dekada, kur në gusht të vitit 2020, Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Demokratët dhe lëvizja URA fituan shumicën në parlament.

Zgjedhjet presidenciale po zhvillohen në një mjedis krize institucionale dhe politike, kur dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale u shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare për në qershor.

Analisti i njohur malazez dhe njohësi i mirë i çështjeve juridike, Velija Muriç vlerëson se kjo krizë është rrjedhojë e fërkimeve politike mes ithtarëve të pavarësisë dhe atyre që e kundërshtojnë atë.

Zoti Muriç thotë se Mali i Zi është i ndarë në dy grupe, mes atyre që identifikohen si malazezë dhe atyre që e shohin veten si serbë dhe kundërshtojnë pavarësinë e vendit nga ish-federata me Serbinë.

Në këtë kuadër ai vë në dukje ndikimin negativ të ndryshimit të Ligjit për Presidentin që, sipas tij, ndikoi edhe më shumë në situatën politike në vend.“Ndryshimi i Ligjit për Presidentin nga shumica aktuale në parlament padyshim që ka një ndikim negativ në zhvillimet politike në vend. Komisioni i Venecias e kritikoi ligjin si një shkelje të Kushtetutës. Kjo ndikoi në polarizimin në rritje të shoqërisë dhe pamundësinë e autoriteteve për të gjetur një rrugëdalje nga kriza”, thotë zoti Muri.

Ai vlerëson se kjo situatë e ka devijuar Malin e Zi nga rruga europiane dhe mund të ketë pasoja të rrezikshme për të ardhmen e vendit.

Mali i Zi u bashkua me NATO-n në vitin 2017, pas një përpjekjeje të pasuksesshme për grusht shteti një vit më parë për të cilën Podgorica akuzoi agjentët rusë dhe ultranacionalistët serbë. Moska i hodhi poshtë pretendimet e tilla si absurde. Pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë vitin e kaluar, Mali i Zi i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Kremlini në këmbim e vendosi Malin e Zi në listën e shteteve jomiqësore/VOA


Video