
Ish-presidenti amerikan Donald Trump dhe dy nga fëmijët e tij duhet t'u përgjigjen pyetjeve nën betim në një hetim në Nju Jork për praktikat e ndjekura gjatë zhvillimit të biznesit, ka vendosur një gjykatës.
Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut Letitia James ka akuzuar Organizatën Trump për manipulim të të dhënave të biznesit dhe të ardhurave për të marrë kredi dhe lehtësime të tjera tatimore.
Trump i ka mohuar akuzat.
Të enjten, gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Nju Jorkut, Arthur Engoron tha se Trump, djali i tij Donald Trump Jr, 44 vjeç dhe vajza Ivanka Trump, 40 vjeç duhet të respektojnë secila thirrjet e prokurores James të lëshuara në dhjetor.
Hetimi i zonjës James kishte zbuluar "prova të shumta të mashtrimit të mundshëm financiar", tha gjykatësi, duke i dhënë asaj një "të drejtë të qartë" për të marrë në pyetje ish-presidentin dhe dy nga fëmijët e tij të përfshirë nën betim.
Trump e ka quajtur hetimin të motivuar politikisht dhe një "gjueti shtrigash" të prokurores James, një demokrate. Hetimi, i cili u hap në vitin 2019, synon të provojë pretendimet e qeverisë se Trump ka fryrë vlerën e aseteve të tij në banka kur kërkon kredi.
Mashtrimi dyshohet se ka ndodhur para se ai të merrte detyrën si President i SHBA. Avokatët e Trump u përpoqën që të ndalonin marrjen në pyetje të ish-Presidentit dhe fëmijëve të tij.
Prokurorja James e përshëndeti vendimin e gjyqtarit si një fitore, duke thënë se "drejtësia ka triumfuar". Çështja civile është e ndarë nga një hetim penal në Manhattan mbi praktikat e Organizatës Trump.
Në gjykatë, avokatët e Trump argumentuan se dëshmimi në çështjen civile do të lejonte në mënyrë të pahijshme shtetin të anashkalonte një ligj që ndalon prokurorët të thërrasin dikë për të dëshmuar para një jurie të madhe kriminale, përveç nëse atyre u jepet imuniteti.
Ekipi mbrojtës i Trump pritet të apelojë vendimin. Ai gjithashtu mund të thirret në të drejtën e tij për të heshtur në çdo depozitë.