Macron do të telefonojë Putinin për të evakuuar civilët në Mariupol

25 March 2022, 23:15Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Macron do të telefonojë Putinin për të evakuuar civilët

Franca ka nisur bisedime me Rusinë për planin ndërkombëtar të evakuimit të civilëve nga qyteti i rrethuar i Mariupol.

Qeveria franceze po përpiqet të realizojë një koalicion të vogël ndërkombëtar për të negociuar “operacion humanitar”, raporton AFP.

Presidenti francez, Emmanuel Macron bëri me dije të premten pas samitit të BE se pret të bisedojë me presidentin rus, Vladimir Putin brenda tre ditëve për të diskutuar mbi këtë çështje.

Macron tha se Franca po punonte me Turqinë dhe Greqinë për operacionin e evakuimit të civilëve.

“Do të kemi një diskutim të ri me Presidentin Vladimir Putin brenda 48 ose 72 orëve për të punuar në detaje dhe modalitete të sigurta”, tha Macron.

Presidenti francez u shpreh se nga një bisedë më kryebashkiakun e Mariupol ka mësuar se mbeten 150 mijë banorë në kushte dramatike.

Një guvernator ukrainas tha gjatë ditës së sotme se forcat vendase janë ende në kontroll të qytetit dhe rreth 65 mijë persona kanë mundur që të arratisen me makina private ose në këmbë.

Autoritetet thonë se numri i vdekjeve në qytet i ka kaluar 2 mijë. Vetëm një sulm i vetëm në teatër ka vrarë 300 persona.

Rusia e ka kthyer qytetin portual në fokus të sulmeve brutale në përpjekje për të krijuar një korridor lidhës me gadishullin e Krimesë me pjesën e lindjes së Ukrainës.


Video