Lajçak: Marrëveshja Kosovë-Serbi të implementohet brenda vitit, kërkesa e Kurtit jo realiste

15 Shtator 2023, 21:06Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Miroslav Lajçak dhe Albin Kurti

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, thotë se procesi i zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet të fillojë brenda këtij viti.

Në një intervistë për “TASR”, diplomati sllovak tha se procesi i normalizimit të marrëdhënieve arriti një “pikë kthese” pasi të dyja palët në shkurt dhe mars në Ohër, ranë dakord për dokumentet thelbësore që çojnë në normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella.

“Megjithatë, zbatimi i vërtetë i marrëveshjes nuk ka filluar në gjashtë muaj. Të dyja palët kanë një shkallë të madhe mosbesimi ndaj njëra-tjetrës. Ata thonë më jep atë që meritoj dhe pastaj do të bëj atë që është e nevojshme”, tha Lajçak.

Ai tha se vendimi i Kurtit që gjithçka të nisë me njohjen de-facto të Kosovës nga Serbia, nuk është “rrugë realiste.

“Kurti insiston në një dokument që de fakto të fillojë me njohjen e Kosovës nga Serbia dhe vetëm më pas të bëjë pjesën e saj të punës, që natyrisht nuk është një rrugë realiste përpara”, tha Lajçak.

Lajçak theksoi se është thelbësore që këtë vit të nisë zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Nëse procesi mund të ngrihet dhe të fillojë, ai do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm, sipas tij.

“Nëse ato vendime themelore nuk merren para fundit të vitit, kam frikë se kalendari politik në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara do të jetë i tillë që ta shtyjë këtë axhendë në fund. Jam i bindur se marrëveshja e Ohrit është dokumenti më i mirë. Të dyja palët e pranuan dhe do të ishte turp nëse do të binte në pluhur. Në atë rast presim më shumë konflikte, përshkallëzim të tensionit dhe ndoshta edhe më shumë dhunë në veri të Kosovës”, përfundoi Lajçak.

Video