Autoritetet në Republikën Domenikane njoftuan se kanë konfiskuar pothuajse 9.5 ton kokainë që ndodheshin në një dërgesë bananesh.
Ky është konfiskimi më i madh i drogës në historinë e vendit.
Droga, me vlerë të 236 milionë eurosh u gjet në një ngarkesë që mbërriti në portin kryesor të vendit, në Caucedo, në kryeqytetin Santo Domingo.
Ngarkesa ishte nisur nga Guatemala dhe ishte e destinuar për Belgjikën, sipas Carlos Devers, një zëdhënës i agjencisë anti-drogë të Republikës Domenikane.
Përkatësisht, dhjetë persona janë arrestuar lidhur me këtë ngjarje, raporton The Guardian.
“Hetimet fillestare tregojnë se një kontejner me banane mbërriti nga Guatemala. Shumë individë të panjohur u përpoqën të transferonin drogën në një kontejner tjetër, që do të dërgohej me anije në Belgjikë”, tha Devers në një konferencë shtypi.
Ai theksoi se ky është konfiskimi më i madh i bërë ndonjëherë në vend, duke tejkaluar një konfiskim të vitit 2006 me 2.6 ton droge.
Autoritetet e Republikës Domenikane kanë konfiskuar deri tani pothuajse 47 ton drogë gjatë këtij viti.