Albin Kurti tregon “zbulimin shqetësues” lidhur me sulmin në Zubin Potok

7 Dhjetor 2024, 17:42Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës thotë se pas sulmit në Zubin Potok mund të fshihen grupe ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse me lidhje të forta në Serbi.

Kuri i referohet një sërë emblemave të gjetura së bashku me municione nga aksioni i policisë së Kosovës pas shpërthimit në kanalin e ujit. Emblemat janë si të ushtrisë ruse dhe serbe, por edhe të grupeve paramilitare.

Kurti jep alarmin dhe thotë se ndaj këtyre aksioneve terroriste që rrezikojnë të gjithë sigurinë në rajon, duhet një reagim vendimtar dhe i unifikuar.

Deklarata e plotë e Kurtit:

Pas bastisjeve në veri të Kosovës, në lidhje me sulmin kinetik terrorist të datës 29 nëntor 2024 ndaj kanalit të Ibër Lepencit, janë konfiskuar armë, uniforma dhe pajisje të ndryshme, si dhe janë gjetur emblema ruse dhe serbe të strukturave të inteligjencës, ushtrisë dhe sigurisë.

Ky zbulim shqetësues dëshmon për përfshirjen potenciale të grupeve ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse, me lidhje të forta në Serbi, që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një mjedisi të pasigurt në rajon.

Stabiliteti dhe paqja në Ballkan kërkojnë një reagim të unifikuar dhe vendimtar kundër këtyre aksioneve terroriste dhe aktiviteteve destabilizuese që rrezikojnë sigurinë e përgjithshme dhe vlerat demokratike në rajon.

Albin Kurti tregon “zbulimin shqetësues” lidhur me sulmin
Emblemat e sekuestruara në Zubin Potok

Video