Jeta e çuditshme e djalit të zyrtares së CIA-s amerikane që vdiq duke luftuar krah rusëve

25 Prill 2025, 19:45Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Michael Gloss

Një 21-vjeçar që vdiq duke luftuar për ushtrinë ruse në Ukrainë është identifikuar si djali i një zyrtareje të lartë në CIA-s amerikane.

Michael Gloss u vra në vijën e frontit në rajonin lindor të Donetskut në prill të vitit të kaluar, raporton Important Stories, një media investigative ruse.

Ai ishte djali i Juliane Gallina, zëvendësdrejtoreshës së CIA-s për inovacionin dixhital, dhe Larry Gloss, një veteran i marinës amerikane që kishte marr= pjesë në Operacionin Desert Storm gjatë Luftës së Gjirit në fillim të viteve 1990.

Në vitin 2021, Michael Gloss u regjistrua në Kolegjin e Atlantikut në Bar Harbor, Maine, një kolegj artesh liberale i njohur për inkurajimin e studentëve për të bashkëvepruar me natyrën. Vitin pasardhës, ai u ndalua nga policia në një protestë për klimën në Uashington, DC.

Në mediat sociale dhe në bisedat online me anëtarët e "Rainbow Family", një grup kundërkulturor që i ka rrënjët në aktivizmin e viteve 1970, Gloss shprehte neverinë e tij ndaj Amerikës.

“Kur më në fund e kuptova se si funksionon sistemi politik amerikan, e kuptova se dhuna është një pjesë integrale e tij", shkruante ai në Telegram.

Në Instagram, ai postonte një fotografi të vetes duke ngritur gishtin e mesit drejt Kapitolit të SHBA-së. Në një tjetër postim, ai shfaqte flamurin amerikan duke u djegur.

Të njohurit e tij thanë se ai ishte i zemëruar nga lufta e Izraelit në Gaza dhe ishte bërë një konsumator i zjarrtë i teorive konspirative.

Sipas Important Stories, ai i tha një miku se hegjemonia perëndimore po venitej dhe se e ardhmja do të ishte një “botë shumëpolare” e dominuar nga kombet BRICS, një linjë e njohur nga propaganda ruse. BRICS është një grup ndërqeveritar që përfshin Rusinë, Indinë, Kinën, Iranin dhe disa vende të tjera.

Përpara se t'i bashkohej ushtrisë ruse, aktivisti me flokë të gjatë udhëtoi nëpër Evropë dhe Turqi, ndonjëherë i veshur me një rrobë të gjatë mesjetare dhe duke mbajtur një shkop druri.

Në prill të vitit 2023, ai udhëtoi për në Izrael për të vizituar "fshatra ekologjike". Autoritetet i konfiskuan sendet personale dhe e deportuan.

Në Turqi, duke e quajtur veten Hamza, ai iu bashkua përpjekjeve të ndihmës pas tërmetit në rajonin Hatay. Ai fitoi reputacion si një njeri i çuditshëm që e do natyrën në qytetin kufitar turk Kiyikoy, në një moment u filmua duke futur zogj të braktisur në një kuti kartoni.

Gloss bleu një rrobë të gjatë e të kuqe në një dyqan rrobash turk. Një mik, Gamze, i tha Important Stories se teksa ishte n% Turqi Gloss bleu të gjithë bukën në një furrë buke dhe ua shpërndau pjesëmarrësve të organizatës Rainbow dhe se njerëzit filluan ta quanin "Jezus".

Në maj të vitit 2023, ai shkroi në internet: “Mami më thoshte se mund të kthehesha në çdo kohë. Ajo po përpiqej të më bënte të rrëzohesha dhe ta telefonoja për një biletë për në shtëpi.”

Por ai tha se ishte i vendosur në rrugën që kishte ndërmarrë: “E gjej veten gjithnjë e më të gjallë çdo minutë. I uritur për gjak dhe lavdi.

“Do të jetë një ditë e trishtueshme për ItthoBa’al [një emër që ai kishte adoptuar] kur klubi duhet t’i kalohet mishërimit të ardhshëm. Por që tani, unë mund të jem mishëruar në kohë për të mposhtur vdekshmërinë DHE kompleksin ushtarako-industrial.”

Kur u pyet se si planifikonte ta mposhtte këtë të fundit, ai tha se njerëzit nuk do ta besonin nëse do ta thoshte.

Në verën e vitit 2023, ai udhëtoi nëpër Rusi, duke marrë pjesë në një festival dhe duke bërë fotografi në Sheshin e Kuq, i veshur me një keffiye të kuqe. Në fillim të shtatorit, ai shkroi në Telegram se viza e tij ruse do të skadonte brenda një jave.

Deri në vjeshtën e vitit 2023, ai mori një vizë ruse në Stamboll dhe kaloi në Krime.

Deri më 5 shtator, ai ishte regjistruar në ushtrinë ruse dhe një skedë me të dhënat e Michael Alexander Gloss shfaqet në bazën e të dhënave mjekësore EMIAS. Adresa e tij ishte listuar si ajo e një dhome ekzaminimi mjekësor që u jepej rekrutëve të huaj, raporton Important Stories.

Gjatë stërvitjes për regjimentin e 137-të ajror në qytetin e Ryazanit, ai u tha rekrutëve të tjerë se donte të merrte shtetësinë ruse në mënyrë që të mund të ndiqte projekte të infrastrukturës mjedisore në vend.

Videot e postuara nga rekrutë nepalezë dhe të huaj të tjerë tregojnë Gloss duke buzëqeshur me kokën e rruar. Ai i tha "Mert", një miku të orgainzatës Familja Rainbow, se nuk u bashkua për të luftuar, por për të marrë një pasaportë.

Në një mesazh, ai tha: “Qëllimi im në jetë është të ndërtoj një infrastrukturë për oksidimin e ujit në një gjendje superkritike. T’i jap fund ndotjes së mjedisit dhe sëmundjeve e vdekjeve që lidhen me ndotjen, domethënë: kancerit, limfomës dhe të gjitha problemeve hormonale që lidhen me mikroplastikat dhe estrogjenet në ujë.”

Important Stories foli me një anëtar të regjimentit të 137-të, i cili tha se, pas stërvitjes, Gloss u dërgua "në njësitë e sulmit". Ai hyri për herë të fundit në Telegram në mars.

Sipas një nekrologjie nga familja e tij, Gloss vdiq më 4 prill. Në atë kohë, regjimenti i 137-të po luftonte në veriperëndim të Soledarit, midis qyteteve Rozdolivka dhe Vesele.

Pozicionet u përshkruan si "të pafavorshme" dhe peizazhi "i rëndë" në një postim në Telegram nga divizioni i 106-të, i cili përfshin regjimentin e 137-të. Rrethanat e sakta të vdekjes së Gloss janë të paqarta.

Tetë muaj pas vdekjes së tij, familja e Gloss mbajti një funeral për të në Fairfax, Virginia.

Në nekrologji, anëtarësia e Gloss në ushtrinë ruse nuk përmendet. Aty shkruhet: “Michael ishte i dashur dhe kurioz, me një dhuratë për ndërtim dhe dashuri për natyrën dhe të gjitha krijesat e saj.

“[Ai] kishte një ndjenjë të lartë drejtësie… [dhe] donte që bota të ishte një vend më i mirë.

“Ai dinte emrat e pemëve dhe bimëve, i pëlqente të flinte nën yje dhe të gatuante në zjarr të hapur.

“Me zemrën e tij fisnike dhe shpirtin e tij luftëtar, Michael po ndërtonte udhëtimin e tij të heroit kur u vra tragjikisht në Evropën Lindore më 4 prill 2024.”

Gallina, një veterane e marinës, iu bashkua CIA-s në vitin 2019. Në LinkedIn, profili i saj thotë se roli i saj aktual përfshin përpjekjen “për të përshpejtuar transformimin dixhital të agjencisë sime për të ruajtur avantazhin strategjik për kombin tonë”.


Video