“Sulmi ishte vetëm një pjesë e fuqisë sonë", Irani paralajmëron Izraelin: Mos bëni gabim sërish

1 Tetor 2024, 23:26Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sulmi i Iranit mbi Izrael

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se sulmi i tij raketor ndaj Izraelit ishte në mbrojtje të interesave dhe qytetarëve të Iranit, duke paralajmëruar në X se operacioni i të martës ishte "vetëm një pjesë e fuqisë sonë".

Po ashtu iu drejtua Netanyahu-t duke i thënë se Irani nuk është nxitës lufte, por do të qëndrojë me vendosmëri kundër çdo kërcënimi. Ai paralajmëroi Izraelin se sulmi ishte vetëm një pjesë e aftësive të Iranit dhe të mos përfshihet në një konflikt me vendin e tij.

“Ky veprim ishte në mbrojtje të interesave dhe qytetarëve të Iranit. Për t'i bërë të ditur (kryeministrit izraelit Benjamin) Netanyahu se Irani nuk është luftarak, por ai qëndron me vendosmëri kundër çdo kërcënimi. Mos hyni në konflikt me Iranin”, shkroi ai.

Në një mesazh të postuar në X, Udhëheqësi Suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei paralajmëroi në hebraisht se goditjet kundër Izraelit do të bëheshin më të forta dhe më të dhimbshme.

“Me ndihmën e Zotit, goditjet e frontit të kryengritjes do të bëhen më të forta dhe më të dhimbshme mbi trupin e konsumuar dhe të kalbur të regjimit sionist”, tha ai.

Ebrahim Azizi, kreu i Parlamentit të Sigurisë Kombëtare dhe Komitetit për Politikat e Jashtme tha për mediat në Iran se ky sulm ishte vala e parë e sulmeve të Gardës Revolucionare.

Ai tha se në shënjestër të tyre kanë qenë qendrat ushtarake izraelite, por mund të kenë goditur edhe qendra civile për shkak të përllogaritjeve që mund të jenë bërë gabim.

“Nëse Izraeli bën gabim sërish do të ketë një valë të dytë akoma më shkatërrimtare”, tha ai.

Azizi tha se sipas vlerësimeve të Iranit, Izraeli nuk mund t’i kundërpërgjigjet sulmeve të Iranit.

Breshëria vjen pasi Izraeli nisi një operacion tokësor përtej kufirit të tij verior në Liban, duke synuar grupin militant Hezbollah të mbështetur nga Irani. Izraeli vrau liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah në një sulm ajror të premten e kaluar dhe shkatërroi udhëheqjen e forcës më të fuqishme paraushtarake në Lindjen e Mesme, duke rritur frikën për një luftë të re rajonale, shkruan A2.

Ndërkohë sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken e quajti sulmin me raketa iraniane kundër Izraelit të papranueshëm dhe shtoi se e gjithë bota duhet ta dënojë atë.

Blinken tha se ky sulm përfshinte “rreth 200 raketa balistike”. Izraeli fillimisht vlerësoi se 180 raketa u lëshuan në vend. Izraeli "e mundi në mënyrë efektive këtë sulm", shtoi Blinken.

Video