Hamas deklarohet për situatën në Gaza: Armëpushimi i përhershëm filloi sot! Dera e prosperitetit do të hapet

9 Tetor 2025, 20:36Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Udhëheqësi i Gazës në mërgim, Khalil Al-Hayya, tha këtë të enjte se grupi ka marrë garanci nga Shtetet e Bashkuara, ndërmjetësit arabë dhe Turqia se lufta në Gaza ka përfunduar.

"Armëpushimi i përhershëm filloi sot. Të gjitha gratë dhe fëmijët e ndaluar në Izrael do të lirohen. Dera e prosperitetit do të hapet", deklaroi Hamas në një komunikatë për mediat.

“Sot njoftojmë se është arritur marrëveshja për t’i dhënë fund luftës dhe agresionit kundër popullit tonë dhe për të filluar zbatimin e një armëpushimi të përhershëm dhe tërheqjen e forcave pushtuese”, tha Khalil Al Hayya në një fjalim televiziv.

Ai shtoi se 250 palestinezë që u dënuan me burgim të përjetshëm do të lirohen si pjesë e marrëveshjes, përveç 1,700 të burgosurve nga Gaza që u arrestuan pas 7 tetorit.

Sakaq, mbledhja e kabinetit të sigurisë së Izraelit për të miratuar armëpushimin dhe lirimin e pengjeve si pjesë e planit të SHBA-së për t'i dhënë fund luftës në Gaza ka përfunduar, sipas informacionit të dhënë për The Times of Israel nga zyra e njërit prej pjesëmarrësve.

Kabineti tani do të mblidhet në tërësi për të votuar marrëveshjen, e cila pritet të miratohet nga një shumicë e madhe.

Në një intervistë të rrallë me Channel 12, Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, tha se Autoriteti Palestinez po koordinohet me Shtetet e Bashkuara për reformat që po zbaton sipas marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, e cila i bën thirrje organizatës të zbatojë ndryshime të rëndësishme.

Ai shtoi se presioni ndërkombëtar për të njohur një shtet palestinez nuk synon të dëmtojë Izraelin.


Video