Presidenti serb Aleksandar Vuçiç është penduar për akuzat e tij kundër Turqisë dje në lidhje me marrëveshjen e armëve me Kosovën.
Ai ka bërë një kthesë 180 gradë, pasi dje lëshoi akuza të forta ndaj Turqisë, për shitjen e dronëve kamikazë te Forcat e Kosovës, duke thënë se ata kërkojnë destabilizimin e rajonit dhe ringritjen e Perandorisë Osmane.
"Dje, reagova fuqishëm, disa do të thoshin ashpër, ndoshta tepër ashpër. Gjithmonë do të jem një mikpritës i mirë për Presidentin turk Erdogan… ai është udhëheqësi më i madh turk pas Mustafa Kemal Ataturkut. Sjellja e Turqisë është me rëndësi të madhe për stabilitetin e këtij rajoni. Ne duam marrëdhëniet më të ngushta, marrëdhëniet më të mira me Turqinë", ka deklaruar sot Vuçiç gjatë një konference për mediat.
Serbia ka shpenzuar më shumë se 1 miliard dollarë çdo vit për të paktën 7 vitet e fundit, duke rritur shpenzimet ushtarake në nivele alarmante. Qeveria serbe ka blerë armatime nga Irani, Rusia, Izraeli, Turqia dhe Kina.