Presidenti amerikan Donald Trump ka folur më në detaje për marrëveshjen e armëpushimit në Gaza gjatë një mbledhjeje të kabinetit të tij këtë të enjte.
Ai deklaroi se “gjithçka u bashkua” për arritjen e marrëveshjes mes Izraelit dhe Hamasit më herët gjatë ditës së sotme.
“Mendoj se sulmi ndaj Iranit (në qershor) ishte shumë i rëndësishëm, sepse, le të themi se nuk do të ndodhte, ata ndoshta deri tani do të kishin një armë bërthamore, disa armë bërthamore, dhe për pasojë, edhe nëse do të nënshkruanim marrëveshje, mbi të do të qëndronte një re e madhe e zezë, dhe nuk do të ishte e njëjta gjë,” tha Trump.
Ai shtoi se beson se Irani “tani dëshiron të punojë për paqen”.
“Ata na kanë informuar dhe kanë pranuar se janë plotësisht në favor të kësaj marrëveshjeje. E konsiderojnë një gjë të shkëlqyer. Ne do të donim të shihnim që edhe ata të kenë mundësi të rindërtojnë vendin e tyre, por nuk mund të kenë një armë bërthamore.”
SHBA-të bombarduan disa nga objektet kryesore bërthamore në Iran më 22 qershor të këtij viti, pasi Izraeli dhe Irani shkëmbyen sulme ajrore.
Suksesi i sulmeve amerikane ndaj Iranit mbetet një çështje debati (në analizat e qershorit kjo është diskutuar gjerësisht), por Trump vazhdon të pretendojë se ato “e shkatërruan tërësisht” programin bërthamor të Iranit.
“Kjo është lufta numër tetë”, Trump thotë se “të gjithë amerikanët” duhet të jenë krenarë për marrëveshjen për pengjet dhe Gazën.
Po ashtu presidenti amerikan falënderoi vendet e përfshira në bisedimet për paqe në Egjipt, duke thënë se “e gjithë bota është bashkuar për këtë”.
“Njerëz që nuk merreshin vesh, njerëz që nuk e donin njëri-tjetrin, vende fqinje që sinqerisht nuk e duronin njëri-tjetrin, por tani e arritën këtë,” tha ai.
Trump shtoi: “Presim me padurim kthimin e pengjeve, dhe kjo pritet të ndodhë në fillim të javës së ardhshme, shpresojmë të hënën ose të martën. Të gjithë amerikanët duhet të jenë krenarë për rolin që vendi ynë ka luajtur në përmbylljen e këtij konflikti të tmerrshëm.”
Në fund të fjalës, Trump falënderoi disa nga pjesëmarrësit në mbledhjen e kabinetit:
“JD Vance, ishe fantastik,” tha ai. “Pete (Hegseth), ishe i shkëlqyer. Marco (Rubio) është fantastik… Mendoj se pothuajse të gjithë në këtë sallë ishin të përfshirë.”
Trump përfitoi gjithashtu nga rasti për t’u kujtuar mediave: “Ndaluam shtatë (luftime/luftra), kjo është e teta.”