Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka deklaruar se negociatat për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit “po ecin mirë” dhe se ai mund të udhëtojë në rajon këtë fundjavë.
“Është e mundur që të shkoj atje në çdo moment brenda fundjavës, ndoshta të dielën”, tha Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Do të shohim, por ka një mundësi të fortë. Negociatat po ecin shumë mirë”.
Presidenti amerikan shtoi se arritja e një marrëveshjeje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve është shumë afër.
“Ka një mundësi të mirë për një marrëveshje”, shpjegoi Trump. “Jemi duke negociuar me Hamasin dhe me shumë shtete. Siç e dini, të gjitha vendet arabe dhe myslimane janë të përfshira. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë. Asgjë e ngjashme nuk ka ndodhur ndonjëherë. Negociatat tona përfundimtare janë me Hamasin dhe duket se po përparojnë mirë”, tha ai.
Burime diplomatike bëjnë të ditur se një marrëveshje për armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit mund të nënshkruhet brenda ditës së nesërme, nëse bisedimet që po zhvillohen në Egjipt vazhdon me të njëjtin ritëm.