Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është shprehur se të punosh me Donald Trump nëse ai rizgjedhet si president i SHBA-së do të jetë “punë e vështirë”, por theksoi se “ne jemi punëtorë të palodhur”.
Në një intervistë ekskluzive me BBC në Londër, Zelensky tha se ishte i gatshëm të punonte me këdo që do të jetë në pushtet në SHBA.
Vetëm disa ditë më parë, Trump shpalli senatorin e Ohajos JD Vance si kandidatin e tij në votimin e nëntorit. 39-vjeçari në të kaluarën ka thënë se “nuk i intereson çfarë do të ndodhë me Ukrainën”.
Kandidimi i tij ka nxitur frikën se angazhimi i SHBA ndaj Ukrainës mund të bjerë nëse Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e nëntorit.
“Ndoshta ai me të vërtetë nuk e kupton se çfarë po ndodh në Ukrainë, kështu që ne duhet të punojmë me Shtetet e Bashkuara”, tha Zelensky për BBC.
Udhëheqësi ukrainas ndodhet në MB për të marrë pjesë në një takim të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ku mbajti një fjalim të enjten pasdite.
EPC, e cila përfshin 27 anëtarët e Bashkimit Evropian si dhe 20 joanëtare si MB, është një forum informal për bashkëpunim.