Familja Agnelli shet “La Repubblica-n” për 100 mln euro te grupi grek Antenna

24 March 2026, 17:34Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Familja Agnelli shet “La Repubblica-n” për 100 mln euro te
Familja Agnelli shet “La Repubblica-n” për 100 mln euro te grupi grek Antenna

E përditshmja italiane “La Repubblica” është shitur nga Exor, holdingu i familjes Agnelli-Elkann, te grupi mediatik grek Antenna, në pronësi të sipërmarrësit Theo Kyriakou.

Marrëveshja nuk përfshin vetëm gazetën, por të gjithë grupin GEDI, duke përfshirë mediat kombëtare dhe një rrjet të gjerë platformash, si Radio Deejay, Radio Capital dhe m2o, si dhe HuffPost Italia, National Geographic Italia, revistën Limes dhe koncesionarin e reklamave Manzoni.

Vlera e marrëveshjes vlerësohet rreth 100 milionë euro, sipas burimeve të tregut.

Theo Kyriakou konsiderohet i afërt me Presidentin amerikan Donald Trump dhe ka lidhje biznesi edhe me Mohammed Bin Salman, princin e kurorës së Arabisë Saudite.

Në të njëjtën kohë, grupi GEDI ka konfirmuar edhe shitjen e gazetës tjetër të rëndësishme italiane “La Stampa”, e cila pritet t’i kalojë grupit italian SAE, pronar i disa mediave rajonale.

Gazetarët në të dyja mediat kanë shprehur shqetësime për pavarësinë editoriale dhe mundësinë e shkurtimeve në staf, ndërsa pronarët e rinj kanë dhënë garanci për ruajtjen e autonomisë dhe stabilitetit të punësimit.


Video