Shtetasit nga tetë vende të botës, përfshi edhe Shqipërinë, do ta kenë më të vështirë prej sot për të fituar azil në Belgjikë, pasi duhet të paraqesin prova të forta dhe bindëse se vendi i tyre nuk është i sigurtë, veçanërisht për ta.
Më 10 korrik, Gazeta Zyrtare e Belgjikës ka publikuar një listë të rishikuar të vendeve jashtë Bashkimit Evropian që konsiderohen si vende të sigurta të origjinës, të përbërë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Republika e Maqedonisë së Veriut, Kosova, Mali i Zi, Serbia, India dhe Gjeorgjia.
Sipas Zyrës së Komisionerit të Përgjithshëm të vendit për Refugjatët dhe Personat pa Shtetësi (CGRS), renditja e një vendi të origjinës si i sigurt mund të ketë disa pasoja specifike për procedurën që duhet të kalojnë aplikantët për mbrojtje ndërkombëtare në këtë zyrë dhe për procedurën e apelit në Këshillin për Çështjet e Ligjit për të Huajt.
Vendimi për listën e re është marrë qysh më 7 prill, por është publikuar në Fletoren Zyrtare vetëm të hënën e kaluar. Lista rishikohet çdo vit dhe të njëjtat vende janë në të prej vitit 2020.
Sipas Rrjetit Evropian të Migracionit, mbi 100,000 njerëz aplikuan për mbrojtje në Belgjikë vetëm vitin e kaluar, mbi 63,000 prej të cilëve ishin ukrainas me status të mbrojtjes së përkohshme.
Mbi 36,000 persona të tjerë aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare, që është 7,000 më pak se në vitin 2015, por një rritje krahasuar me vitet e tjera të fundit. Në të njëjtin vit, 2022, 32,141 ishin aplikime për herë të parë, 4,652 aplikime të mëvonshme dhe gjithashtu 71 persona të tjerë që mbërritën në Belgjikë përmes zhvendosjes.