Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është shprehur se Kosova ka nevojë për një qeveri të re.
Deklaratën, ai e bëri gjatë një vizite në Paris të Francës ku ka zhvilluar disa takime në Senatin francez, në parlamentin dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme franceze.
“Në Senat, pata nderin të pritem dhe të diskutoj me senatoren Laure Darcos, përgjegjëse për Kosovën në grupin e miqësisë Francë – Ballkan, ndërkaq, në Parlament takova deputetin Jean-Philippe Ardouin, udhëheqës i grupit të miqësisë Francë – Kosovë”, shkruan ai në Facebook.
Kreu i PDK-së tha se me Kabinetin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, ku është takuar me Adrien Frier, “diskutuam për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe qëndrimet e PDK-së në raport me to”.
Sipas tij, qasja e qeverisë së Kosovës me aleatët “është e papranueshme, e gabuar dhe si e tillë po e vë në rrezik edhe sigurinë dhe të ardhmen e vendit tonë”.
“Prandaj, sot, Kosova ka nevojë për një Qeveri të re, me qasje ndryshe, dhe e cila kthen në binarë rrugëtimin e shtetit tonë drejt integrimit euro-atlantik dhe kursit pro-perëndimor”, tha ai.