
U rendit e dyta në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë, por Marine le Pen beson se mund t’ia dalë dhe të fitojë në balotazh kundër presidentit në detyrë, Emmanuel Macron.
Pas publikimit të rezultateve të exit-poll-eve, kandidatja e “Rassemblement National” – “Bashkimi Kombëtar”, u bëri thirrje francezëve që nuk votuan për Macron në raundin e parë, t’ia besojnë asaj drejtimin e vendit për pesë vitet e ardhshme.
Në një fjalim të shkurtër, ajo tha se do të ishte presidente e të gjithë popullit dhe preku të gjitha temat e fushatës së saj, nga rivendosja e vlerave franceze, te kontrolli i emigracionit dhe siguria për të gjithë. Teksa mbështetësit e saj brohorisnin “do të fitojmë”, ajo tha: “Do ta ndreq unë Francën brenda pesë vitesh. Nuk do të pres aspak për të realizuar synimin tim, ribashkimin e Francës së ndarë, që po vuan nga pushteti i deritanishëm”.
Por kandidatët e tjerë që nuk fituan, nga i gjithë spektri politik, bënë thirrje që në balotazh vota t’i kalojë presidentit në detyrë. Kandidatja konservatore, Valerie Pécresse: tha “Afërsia e Le Pen me Vladimir Putin e diskrediton atë nga mbrojtja e interesave të vendit tonë në këto kohë kaq tragjike. Zgjedhja e saj do të bënte që Franca të kthehej në një vend të parëndësishëm në skenën ndërkombëtare dhe europiane”. Edhe kandidatja e Partisë Socialiste, Anne Hidalgo, bëri thirrje që të votohet për Macron, “në mënyrë që Franca të mos bjerë në urrejtje”. Të njëjtën lutje patën për votuesit e tyre edhe Fabien Roussel i Partisë Komuniste dhe Yannick Jadot i Të Gjelbërve.
Por të gjitha këto parti bashkë morën vetëm 12% të votave, ndërsa kandidati i ekstremit të djathtë, Eric Zemmour, mori 7,2% të votave.