
Në një lëvizje të koordinuar, katër vende të BE-së po dëbojnë më shumë se 40 diplomatë rusë të dyshuar për spiunazh.
Irlanda, Belgjika, Holanda dhe Republika Çeke lëshuan urdhra dëbimi për gjithsej 43 punonjës të ambasadave të martën pasdite.
Masa vjen pas veprimeve të ngjashme të ndërmarra nga anëtarë të tjerë të BE-së, përfshirë Poloninë, javën e kaluar.
Ministrja e Jashtme belge Sophie Wilmès u tha deputetëve se dëbimet ishin "të lidhura me sigurinë kombëtare të vendit".
Duke folur në parlament, Wilmès tha se 21 anëtarëve të stafit në ambasadën ruse në Bruksel dhe në konsullatën në Antëerp iu kërkua të largoheshin nga vendi, duke u dhënë atyre dy javë kohë për t'u larguar.
Ajo shtoi se masa u bë në koordinim me fqinjin e Belgjikës, Holandën, Ministria e Jashtme e së cilës tha se po dëbonte 17 diplomatë rusë që konsideronte se ishin "aktivë të fshehtë" si oficerë të inteligjencës.
Kryeministria i Irlandës, Micheal Martin, u tha deputetëve se qeveria e tij kishte dëbuar katër diplomatë rusë pasi kishte marrë këshilla për sigurinë nga zyrtarët e saj të inteligjencës.
Martin tha se zyrtarëve iu kërkua të largoheshin nga shteti "sepse aktivitetet e tyre nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare të sjelljes diplomatike".
Ambasada ruse në Dublin hodhi poshtë "vendimin e pabazë", duke shtuar se ai do të "përkeqësonte më tej marrëdhëniet mes dy vendeve".
Ndërkohë, një zyrtar çek i tha agjencisë së lajmeve AFP se diplomati i dëbuar nga Praga ishte zëvendësambasadori i Rusisë.
“Së bashku me aleatët tanë, ne po reduktojmë praninë e inteligjencës ruse në BE”, shkroi Ministria e Jashtme çeke në Tëitter.
Të mërkurën, Polonia dëboi 45 diplomatë të akredituar për përfshirje në spiunazh të dyshuar në vend.
Ministri i Brendshëm polak, Mariusz Kaminski, shkroi në Tëitter se zyrtarët polakë të inteligjencës po "çmontonin rrjetin e shërbimeve speciale ruse në vendin tonë".
Dhe në fillim të këtij muaji Bullgaria, Lituania, Letonia dhe Estonia dëbuan gjithsej 20 punonjës të ambasadës ruse në lidhje me aktivitete "në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik".
Rusia ka tentuar t'u përgjigjet vendimeve të tilla me lëvizje reciproke, dhe më herët sot njoftoi dëbimin e 10 diplomatëve nga Estonia, Letonia dhe Lituania.